E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si regjistrohet prona me mungesë dokumentacioni

Autori i Lajmit: red.
Vetëm me një kërkesë të pronarit dhe një tarifë simbolike prej 200 lekësh dhe taksën e shërbimit prej 300 lekësh ju mund të aplikoni për regjistrimin fillestar të pasurisë tuaj, edhe në rastin kur keni mungesë në dokumentacion.
Me anë të faqes zyrtare në internet të Hipotekës ju mund të informoheni për gjithçka ju intereson. Nëse një person fizik është i interesuar për të shitur një truall ose një ndërtesë duhet të marrë disa dokumente në zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Tarifa shkon deri në 1 500 lekë dhe taksa e shërbimit jo më shumë se 300 lekë.
Shitje ndërtese
Nëse afati ligjor për paraqitje pranë zyrave vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është 30 ditë, për çdo ditë vonese aplikohet një gjobë. Sipas dokumentacionit zyrtar, gjoba është 150 lekë në ditë për çdo ditë vonese. Ndërsa, afati maksimal i procedurës është 30 ditë pune. Sa i përket dokumenteve është e nevojshme kontrata e shitjes, e cila bëhet nga ana e një noteri, një certifikatë pronësie dhe kartela e pasurisë, të cilat lëshohen nga ana e ZVRPP-ve, si dhe harta treguese e pasurisë, e cila përsëri duhet të merret pranë ZVRPP-ve. Për shitjen e një trualli dhe ndërtese nga persona fizik duhet paguar edhe taksa e kalimit të pronësisë. Kjo taksë është 0.5 për qind e çmimit të kontratës për vlerë nga deri 2 milionë lekë, 1% e çmimit të kontratës për vlerë nga 2 000 001 deri 4 milionë lekë, 2% e çmimit të kontratës për vlerë nga 4 000 001 deri 6 milionë lekë, 3% e çmimit të kontratës për vlerë më të madhe se 6 milionë lekë.
Regjistrimi
Hipoteka përfundon regjistrimin fillestar për 120 mijë pasuritë e para në disa qytete të Shqipërisë. Ndërkaq, në nëntë zonat kadastrale të kryeqytetit janë 55 544 pasuri shtetërore dhe private. Sipas të dhënave të zyrës së Regjistrimit të Pasurive, ky regjistrim është ndarë sipas 9 zonave kadastrale që janë në kryeqytet. Në të njëjtën formë do të procedohet në vijim edhe me 380 mijë pasuri të tjera, të cilat janë pjesë e projektit për dixhitalizim. Për këto pasuri janë kryer veprime jo vetëm për regjistrimin fillestar, por edhe dixhitalizim sporadik apo edhe korrigjime sporadike, si dhe përditësim i pasurive ku regjistrimi fillestar është kryer më parë në kohë.
Procese paralele
Regjistrimi fillestar në hipotekë për pronat në proces legalizimi është faza e fundit e procesit. Legalizimi është parashikuar paralelisht me kompensimin e ish-pronarëve. ALUIZNI është institucioni që është marrë me përgatitjen e dokumentacionit tekniko-ligjor pas verifikimit në terren dhe dhënien e titujve të pronësisë.
Projekti i BB-së
ZRPP-ja po kryen regjistrimin fillestar të 500 mijë pasurive të paluajtshme, me anën e një projekti të Bankës Botërore, që pritet të finalizohet shumë shpejt. Përveç kësaj, çdo ditë përmirësohen dhe përditësohen të dhënat, të cilat hidhen edhe në versionin dixhital. Durrësi dhe Tirana kanë përfunduar me skanimin e dokumentacionit.
Problemi
Institucionet ndërkombëtare kanë vënë theksin gjithnjë te çështja e pronave. Në progres-raportin e fundit të Komisionit Evropian, të bërë publik vjet, nënvizohej se sa i përket të drejtave të pronësisë, problemet mbeten në regjistrimin e pasurive të paluajtshme, në kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ndërtimet informale.
Rregullat e reja
Kompjuterizimi i të dhënave dhe shërbimeve do të mundësojë sigurimin e informacionit në mënyrë të shpejtë për të nxitur aplikimet e qytetarëve në zyrat e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme. Përmirësimi i rregullave të brendshme për ofrimin e shërbimeve nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të bëhet në një moment të dytë duke u konsultuar me grupet e interesit, avokatët, noterët, gjyqtarët. Projekti, sipas burimeve zyrtare, pritet të finalizohet në fund të muajit janar 2009.

Tabelë
Shitje trualli dhe/ose ndërtesë nga person fizik

Tarifa: 1 500 lekë
Taksa e shërbimit: 300 lekë
Gjoba ditë/vonesë: 150 lekë
Afati ligjor për paraqitje në ZVRPP: 30 ditë
Afati maksimal i procedurës: 30 ditë pune
Dokumente të nevojshme
Kodi Emri i dokumentit Institucioni lëshues
N29 Kontratë shitje Noteri
A13 Certifikatë pronësie Zyra vendore e R.P.P-së
A15 Kartela e pasurisë Zyra vendore e R.P.P-së
H2 Harta treguese e pasurisë Zyra vendore e RPP
Taksa e kalimit të pronësisë
0.5 për qind e çmimit të kontratës për vlerë nga deri 2 milionë lekë
1 për qind e çmimit të kontratës për vlerë nga 2 000 001 deri 4 milionë lekë
2 për qind e çmimit të kontratës për vlerë nga 4 000 001 deri 6 milionë lekë
3 për qind e çmimit të kontratës për vlerë më të madhe se 6 milionë lekë
Regjistrim fillestar i pasurisë që i mungon dokumentacioni i plotë zyrtar (neni 24b)
Tarifa: 200 lekë
Taksa e shërbimit: 300 lekë
Dokumente të nevojshme
Kodi Emri i dokumentit Institucioni lëshues
ND3 Kërkesë e pronarit Personi i interesuar
Ky lajm është publikuar: 14/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›