E Diel, 1 Nëntor 2026

Partitë e vogla nuk kthejnë lekët, rrezikojnë përjashtimin nga zgjedhjet

PSD, PDS, PDK, PAD dhe PAA, nuk i kanë kthyer KQZ-së shumën prej 12.7 milionë lekësh


Pesë parti politike kanë humbur shansin që të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme, qofshin këto lokale apo parlamentare.


Bëhet fjalë Partinë Socialdemokrate, Partinë Agrare Ambientaliste, Partinë Aleanca Demokratike, Partinë Demokracia Sociale dhe Partinë Demokristiane, të cilat kanë shkelur ligjin zgjedhor dhe nuk kanë kthyer shumën që i detyrohen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që ato e kishin përfituar para zgjedhjeve nga Buxheti i Shtetit.


Kodi Zgjedhor përcakton në nenit 87, pika 4 e tij, se partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse që i detyrohet KQZ-së, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni.


Në bazë të Kodit Zgjedhor, të gjitha forcat parlamentare të dala nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 para zgjedhjeve të 28 qershorit, përfituan mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit në shumë 650 milionë lekësh të vjetra, shumë kjo që u shpërnda në dy pjesë të veçanta, sipas dy formulave të ndryshme, gjysma sipas mandateve, me të cilat përfaqësoheshin në Kuvend dhe gjysma e dytë në bazë të votave të fituara në parlamentaret e shkuara.


Por, sipas nenin 87 të ligjit zgjedhor, të gjitha ato forca politike që kanë fituar nga fondi publik, duhet të kthejnë lekët e ndara sipas formulës së dytë, në rast se ato nuk arrijnë që të bëhen më parti parlamentare.


Nga një detyrim i tillë ligjor, referuar edhe rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit, rezulton se penalizohen vetëm 5 forca politike, PSD-ja, PDS-ja, PAA-ja, PAD-ja dhe PDK-ja, të cilat nuk u rikonfirmuan si forca parlamentare, dhe që duhet të kishin kthyer brenda datës 30 gusht një shumë prej 12.7 milionë lekësh të rinj.


Por, burime pranë KQZ-së konfirmojnë se këto forca nuk e kanë respektuar këtë afat ligjor dhe nuk kanë kthyer shumën që i detyrohen në këtë rast këtij institucioni. Ndërkohë, këto forca kanë deklaruar edhe publikisht që nuk do t'i kthejnë paratë, pavarësisht penalizimit që parashikon ligji në këtë rast.


Por shumë prej tyre nuk u trembet sanksioneve ligjore, pasi janë në tratativa për t'u shkrirë me forca të tjera politike, duke parashikuar që të mos futen si subjekte të veçanta në garat e ardhshme elektorale. Moskthimi i lekëve prej tyre ka vënë në vështirësi KQZ-në, e cila nga ana tjetër këtë shumë duhet t'ua kompensojë partive që u futën në Parlament.


Partitë dhe shumat që duhet të kthejnë

Partia Socialdemokrate e Shqipërisë, 5.136.667
Partia Agrare Ambientaliste, 2.644.556
Partia Aleanca Demokratike, 1.920.479
Partia Demokracia Sociale, 1.711.151
Partia Demokristiane e Shqipërisë, 1.315.153
Në total = 12728006

Partitë dhe shumat që përfitojnë sërish

Partia Demokratike, 6.18 milionë
Partia Socialiste, 5.9 milionë
Lëvizja Socialiste për Integrim, 3.6 milionë
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, 0.9 milionë
Partia Republikane, 0.9 milionë
Partia për Drejtësi dhe Integrim, 0.9 milionë

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›