Keqkuptimi i rusëve me Fatmir Mediun për armët e Gjeorgjisë
Një gjeneral rus ka deklaruar për shtypin italian se Shqipëria ka qenë një nga furnizueset kryesore me armë të Gjeorgjisë. Deklarata nënkuptonte se Shqipëria e kishte bërë këtë e inspiruar nga idealet e saj antiruse. “Antena”, e cila u interesua menjëherë për këtë akuzë të rusëve, gjeti një shpjegim krejt tjetër në Ministrinë e Mbrojtjes.
- Së pari, - tha një oficer i vjetër i kohës sovjetike, - ne nuk mund t’ia bëjmë kurrë këtë gjë Ushtrisë së Kuqe. Komandanti ynë i Përgjithshëm, në atë kohë, zoti Alfred Moisiu, është betuar para KGB në fund të viteve ‘50 se do të punojë dhe luftojë gjithë jetën për idealet e Bashkimit Sovjetik dhe ka firmosur për këtë çështje. Kush nuk beson, le të lexojë dosjen “Mitrochin”. I shpjegon ajo të gjitha. Si mund t’i bënim dëm ne shtetit sovjetik, kur Komandanti ynë i Përgjithshëm është betuar për besnikëri ndaj Bashkimit Sovjetik. Por, nga ana tjetër, nuk është se nuk i kemi dhënë armë Gjeorgjisë. Por, duke pasur parasysh aspiratat tona proruse, si ushtri, që jemi kalitur dhe frymëzuar nga shkolla sovjetike, ne kemi bërë një rrugë dhe dy punë. Dhe i kemi shitur armë Gjeorgjisë, dhe i kemi shërbyer Bashkimit Sovjetik. Gjeorgjianëve, që na kanë pas sjellë atë misrin e verdhë në kohë të Stalinit, ua kemi kthyer borxhin, iu kemi dhënë fishekë të skaduar dhe kallashë Poliçani, nga ata që iu shtrembërohet tyta me tri të qëlluara. Me atë armatim rusët e kishin të sigurt pushtimin e Gjeorgjisë, se ishte sabotim i gjallë. Kështu, dhe paratë ua morëm gjeorgjianëve, dhe me amerikanët i kishim punët mirë, dhe rusëve ua mbajtëm betimin që ka bërë para tyre Komandanti ynë i Përgjithshëm.
- Së dyti, - tha, - nuk është e vërtetë që gjeorgjianët i kishin mbështetur shpresat tek armët tona. Dhe ata kishin ca dallaveraxhinj që donin ca pará dhe i lidhi Fatmiri me Delijorgjin. Nuk është se lëvizi ndonjë pará e madhe.
Të paqartë për shpjegimin e kolonelit nostalgjik sovjetik, u lidhëm me Flamurin.
- Oh, na bezdisët me këtë punën e armëve, - tha Flamuri. - Një avaz keni. Armë sot, armë mot. Nuk kemi armë për të qenë ne. Mirë ka thënë koloneli. Ia kemi futur kujt ia kemi shitur. Duhet të na e dinë për nder rusët.
- Po, po, - i thashë, - po s’po na e dinë për nder as rusët, as amerikanët, as gjeorgjianët.
- Për këtë e ka fajin Mediu. Se ai nuk i sqaron punët qartë. I lë punët përgjysmë. Kurrë nuk e sqaroi këtë punën e fishekëve. As të armëve. I kisha thënë atij burrit, do na marrë më qafë me këto pazare që bën, po s’më dëgjoi. Futi gjithë shokët e vet nëpër magazina nga Poliçani deri në Tiranë dhe ngeli duke shitur armë e fishekë. Dhe s’merrje vesh ku shkonin paratë. Ne na merrte dhe paratë e grupit parlamentar që ia kishim krijuar ne. Na ka gjithë ato borxhe te partia dhe s’na ka kthyer asnjë.
- Nejse, ti nuk di gjë fare si është e vërteta, i kemi shitur apo jo armë Gjeorgjisë dhe pse ka shkuar Mediu në SHBA?
- Armë u kemi shitur, o mixhë, po Mediu shkon kot atje. Seç gënjen atë burrin, i thotë do flas me Dagun, se do flasë ai me një në Shtëpi të Bardhë, që t’i dërgojë një mesazh Departamentit të Shtetit, që ky ambasadori në Tiranë mos të flasë më lart e poshtë kundër tij dhe qeverisë.
- Po ç’hyjnë këtu armët e Gjeorgjisë?!
- Po ja, do t’u thotë që ne kemi qenë aleatë në mbështetje të Gjeorgjisë, nuk ka lezet tani të prishemi për ca arka fishekësh kinezë. Madje, do t’u thotë, po iu ka ngelur qejfi, ua japim falas ato që kanë mbetur. Po unë s’besoj, mixhë. I thashë dhe atij burrit, mos e nis kot, se në vend të fishekëve kinezë do ta dërgojnë të paketuar për në burg Fatmirin. Se ai është dhe budalla, flet pa lidhje dhe i nxjerr gjithë sekretet nëpër tavolina.