Mesazh paksa i gjatë për nr. 0692099410
Të gjithë e mbajnë mend Vasilin, gazetarin e mëngjesit në ATN1, themeluar me ndihma të militantëve të PD, dikush duke sjellë tavolina e dikush karrige e perde dhe që pas ardhjes tënde në pushtet u bë pronë financiare e Elvana Hanës dhe familjes tënde. Tani, Vasilin e shkretë e ke vënë të përdhosë gazetën “TemA” duke e kërcënuar se mund të ngelet i papunë për shkak të mediokritetit të tij.
Zoti 0692099410!
Së pari, dua të të them se gazeta “TemA” nuk ndjehet e rrezikuar nga ky palaçollëk i yti. Dhe rrugëve ligjore do t’iu drejtohemi, thjesht për respekt të shtetit ligjor, që ti të mos thuash se nuk dija gjë, siç nuk dije që baxhanaku të punonte në Gërdec, që e kishte punësuar yt bir dhe që të gjithë punonin pa u regjistruar fare as në tatime. Do t’i drejtohemi gjykatës, prokurorisë dhe natyrisht rrugëve të tjera ligjore, jo për imazhin tonë, por për të mbuluar sado pak të palarat e tua që tashmë turpërojnë shoqërinë shqiptare dhe ne si qytetarë të saj.
Së dyti, kopjimi i emrit të një gazete duke angazhuar në këtë betejë agjencinë shtetërore të lajmeve, vetëm pse kjo gazetë zbulon disa skandale të rënda familjare dhe politike, të cilat të bëjnë përgjegjës dhe fajtor para shqiptarëve, më shumë se këdo tjetër të turpëron ty. Të turpëron ideja vulgare, përmbajtja vulgare, njerëzit vulgarë dhe institucioni shtetëror vulgar që ke gjetur për t’u hakmarrë.
Së treti, dua të të them se ti nuk e ke problemin se nuk ke gazetën “TemA” me vete. Ti e ke problemin, se nuk ke me vete shqiptarët që votuan për ty më 2005, pasi i gënjeve ata. Nëse je kaq në hall, ta fal unë gazetën “TemA” sipas ligjit të koncesioneve që ka bërë jot bijë për “Shqipërinë, 1 euro”. Ta jap ty gazetën dhe jepja Elvanës apo tët biri ta botojë, por nuk të ndihmon dot. Nuk të ndihmon, se ti po rrëzohesh, jo se gazeta “TemA” po të kritikon apo po të publikon skandalet, por se po bën skandale dhe ato po ndodhin para syve të shqiptarëve. Ti nuk e ke problemin me titujt e gazetave, por me njerëzit që nuk duan të heshtin. Dhe ata nuk mund të izolohen, as të burgosen dhe as t’iu mbyllet goja. Për këtë arsye përpjekja jote e dëshpëruar është vulgare dhe dëshmon thjesht degradimin tënd politik dhe moral.
Së fundi, dua të të them se kam parë në një spot televiziv numrin tuaj dhe thirrjen për të shkruar këtu, nëse shikoni një fenomen korruptiv apo një abuzim të pushtetit. Besoj se kjo është një mënyrë shumë fyese dhe shumë diabolike për t’u tallur jo aq me viktimat e korrupsionit sesa me besimin që kishin shqiptarët se ai sistem do të tronditej. Më 3 korrik të vitit 2005, shqiptarët besuan te ndryshimi i sistemit të korrupsionit dhe jo te ndryshimi yt me Fatos Nanon. Dhe ti e dhe këtë premtim. Tri vjet më pas sistemi jo vetëm që nuk u trondit, por u supersofistikua, duke zëvendësuar monopolet politike me ato familjare. Tri vjet më pas, sistemi prodhoi mënyra të reja për të mbijetuar dhe garantuar operatorët e tij. Figurat e shquara të korrupsionit tani janë klientelë e pushtetit të ri. Delijorgjin, të cilin e ke akuzuar deri dhe për zhdukje personazh, e bëre mik shtëpie, “Taçi Oil”, që e akuzoje se fuste 700 mijë tonë në vit kontrabandë, e bëre mik shtëpie dhe i dhe ARMO-n, gjithë figurat e akuzuara për korrupsion u bënë klientë të pushtetit tënd, me ndryshimin se sekserë të tyre u bënë familjarët e tu. Tani e përfytyroj gëzimin tënd, kur ndonjë qytetar naiv të shkruan për ndonjë korrupsion. Gëzohesh realisht që kap ndonjë zyrtar të mjerë që vjedh pa leje të familjes. Gëzohesh dhe i bën gjëmën, e fut në burg, qoftë dhe nëse ka marrë 50 mijë lekë bakshish, kurse ata që emërojnë trafikantë droge, ata që bllokojnë pallate, marrin gjoba dhe i lëshojnë përsëri, ata që hedhin në erë një fshat të tërë duke vrarë gra dhe fëmijë, janë të lirë. Ata janë njerëzit e tu, janë ata që vjedhin me leje dhe s’i prek askush. Mesazhet që vijnë te ky numër ndëshkojnë ata që i dërgojnë dhe jo ata, për të cilët dërgohen.
Unë po të shkruaj për të njoftuar se në media nuk bën dot një Gërdec të ri. Nuk bën dot një gazetë pa leje. Thjesht, nuk vjedh dot. Jepi fund këtij banaliteti dhe, nëse të duhet gazeta “TemA”, ta fal unë. Por vetëm gazetën, edhe pse ajo lidhet me emrin tim. Por ty të lë pa gjumë diçka tjetër dhe për atë nuk të qetësoj dot. As pasuria që po bën nuk të qetëson dot. Se askush nuk ka bërë aq shumë pará, sa të blejë historinë e tij. As ti nuk e ble dot.