Vasili: Xhafaj i bie gozhdës, Rama patkoit
Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje ndaj deklaratave të deputetit të PS-së, Fatmir Xhafaj në lidhje me prioritetet e PS-së për përfundimin sa më parë të Kodit Zgjedhor. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, deklaroi dje se, “lidershipi i Partisë Socialiste e ka shitur Kodin Zgjedhor tek Berisha”. Sipas Vasilit, “është lidershipi i PS-së që flirtoi me Berishën në dëm të fitores së opozitës”. “Partia Socialiste ia shiti Kodin Zgjedhor, Berishës. PS-ja flirtoi me Berishën në dëm të fitores së opozitës, ndërsa sot flitet për prioritete standardesh”, u shpreh dje në reagimin e tij Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së. Por sekretari i Përgjithshëm i LSI-së reagoi edhe ndaj deklaratës së sekretarit socialist lidhur me koalicionet e përbëra, si e vetmja mënyrë për fitoren e të majtës. Vasili e konsideroi “koalicionin e përbërë thjesht si një alibi për dështimin e Partisë Socialiste për Kodin Zgjedhor”. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Partia Socialiste është përgjegjëse direkte për rezultatin e opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Koalicioni i përbërë, alibi për dështimin e PS-së me Kodin Zgjedhor. Partia Socialiste është përgjegjëse direkte për rezultatin e opozitës. Xhafa i bie gozhdës, ndërsa Edi Rama patkoit”, u shpreh në prononcimin e tij për mediat sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili. Sekretari socialist për Çështjet Ligjore kërkoi “nga kolegët e PD-së, nga maxhoranca, ta marrë shumë më seriozisht këtë angazhim politik e ligjor, ç’ka do të thotë të sigurojë një angazhim shumë më efektiv në procesin e përgatitjes dhe miratimit të Kodit Zgjedhor, në të gjitha hallkat e punës së komisionit të posaçëm parlamentar të ngritur posaçërisht për këtë qëllim”.