Kequshqyerja te fëmijët, 19% prapambetje në rritje
Rreth 19 për qind e fëmijëve nën moshën pesë vjeç paraqesin prapambetje në rritje. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se prapambetja në rritje është e shpeshtë në zonat malore, me rreth 28 për qind, dhe fëmijët e familjeve të varfra 27 për qind. Vetëm 39 për qind e fëmijëve ushqehen vetëm me gji deri në muajin e gjashtë të jetës. Aktualisht, më pak se një e treta e fëmijëve ushqehen në bazë të praktikave të rekomanduara të ushqyerjes. Si rrjedhojë e kësaj situate, Ministria e Shëndetësisë hapi dje fushatën sensibilizuese për mënyrat e reja dhe më të mira të ushqyerjes së foshnjave dhe fëmijëve në Shqipëri. Kjo fushatë synon përmirësimin e shëndetit dhe zhvillimit të fëmijëve. Po kështu është hartuar dokumenti strategjik i komunikimit për ushqyerjen e foshnjave dhe fëmijëve në Shqipëri. Nëpërmjet tij synohet që problemet e ushqimit, të sigurisë ushqimore, të bëhen më të rëndësishme në axhendën e qeverisë, duke ndihmuar dhe në hartimin e ndërhyrjeve të fokusuara drejtpërdrejt në grupet e popullsisë që preken më shumë nga këto probleme. Misioni i këtij programi është tu vijë në ndihmë nënave gjatë procesit të ushqyerjes së fëmijëve duke angazhuar stafin mjekësor, ambientin familjar dhe shoqëror, si dhe të ndryshojë sjelljen e tyre në lidhje me ushqyerjen dhe ushqimin.