E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltari i PS: Si më qëlluan me çekiç e tytat e armëve

Këshilltari i Këshillit të Qarkut Fier, Flamur Buzi, dje në spital

FIER/ Nga dhuna nuk mund të qëndroj në këmbë

Flamur Buzi: Ngjarja pasi nuk pranova shkarkimin e drejtorit të Pronave.

Këshilltari i Qarkut të Fierit, Flamur Buzi, ende nuk mund të qëndrojë në këmbë si pasojë e dhunës së ushtruar nga drejtori i Administrimit të Pronave, Ahmet Krasniqi dhe dy të afërm të këtij të fundit. Nga spitali i Fierit, 40-vjeçari rrëfeu se si e qëlluan me çekiç, hekura e madje edhe me tyta armësh në kokë.
Z.Buzi, si ndiheni sot?
Sot jam më ndryshe, por kam shumë dhimbje në shpinë dhe kokë. Nuk çohem dot në këmbë. Nuk flas dot mirë dhe kam marrje mendsh. Si ndiej pjesët e trupit si të miat dhe kam hematoma gjithandej.
A mund të na tregoni ngjarjen se si ndodhi?
Rreth orës 12:30 të ditës së djeshme (e enjte), u ngjita për në katin e tretë të godinës ku ndodhet Këshilli i Qarkut Fier. U drejtova për nga dera e zyrës së kadastrës. Doja të merrja një dokument në atë zyrë.
Çfarë dokumenti ishte?
Ishte një dokument për një pronësi dhe më duhej ta merrja brenda kësaj jave. Kërkova nga punonjësit, por duhej patjetër drejtori që të firmoste.
Më pas çfarë ndodhi?
I ndodhur në këto kushte, kur dokumenti më duhej patjetër, dola në korridor dhe pyeta ish-sekretarin dhe shefin e personelit, Ahmet Krasniqin. I thashë se kërkoja këtë shërbim dhe e pyeta se  ku ndodhej drejtori i asaj zyre, Ramadan Kanani.
Si reagoi ai?
Më tha se nuk është më Ramadan Kanani drejtor i Zyrës së Pronave. Pastaj më tha se tani drejtor i kësaj drejtorie është vetë ai,  pra Ahmet Krasniqi.
Në këtë moment nisi debati?
Po patëm pak debat, pasi unë vazhdova në timen. I thashë se unë nuk e njoh atë për drejtor, por vazhdoj të njoh akoma Kananin. Më tha se tani drejtor ishte emëruar ai dhe nëse doja shërbim duhej ta merrja te zyra me firmën e tij.
Po ju pse nuk e njihnit, kur ai ishte emëruar, ndërsa Kanani është pushuar nga kjo detyrë?
Unë jam këshilltar dhe e di që ky kryetar nuk ka tagrin të emërojë apo shkarkojë, të paktën jo për sa kohe çështja është në gjykatë. Në këtë kontekst doja që të mbroja në njëfarë mënyre edhe të drejtën. Nuk heshtja dot sikur skishte ndodhur asgjë. Desha të flas për të vërtetën, por smunda dot si u bënë gjërat.
Gjatë kohës kur u përballët me Krasniqin, kishte të tjerë persona përreth?
Po. Atë çast në korridor ishte edhe kreu i ashtuquajtur i  Këshillit, zoti Artur Shehu, i cili ishte duke u larguar në atë kohë.
Vure re të tjera detaje? Ndonjë të veçantë?
Prita dhjetë minuta dhe gjatë kësaj kohe pashë se zoti Krasniqi po fliste me dikë në telefon. Asgjë tjetër nuk vura re. Në korridor spo shihja njeri. Ishin nëpër zyra punonjësit. Më pas pashë një grup personash, nuk e di se sa, dhe midis tyre edhe të afërmit e Ahmet Krasniqit që erdhën drejt meje. Nuk mendova në fillim se do kishin diçka me mua. U gjenda i papërgatitur.
Fole me ta?
Po. Më thanë se jo vetëm që si kisha ndihmuar në procesin e votimit në Qark, por tani u dilja edhe kundër në zhvillimet e mëtejshme. Më pas mbaj mend vetëm që filluan të më godisnin me mjete, çekiçë, hekura, madje dhe tyta armësh në kokë. Pastaj smbaj mend asgjë.
Kur u përmende?
Vonë. Por e gjeta veten në spital.

Sulaj: Nuk e fal dhunuesin

Alket Sulaj, dje në spital

Roja i marrë së fundmi nga Vangjel Ndreko në Këshillin e Qarkut, Alket Sulaj, ndodhej dje në një nga dhomat e katit të dytë në repartin e kirurgjisë. Gjendja e tij është më e përmirësuar se e këshilltarit Buzi. Sipas tij, ai u fut të ndante në çastin kur  kishte parë se një grup personash po qëllonin Flamur Buzin. Sipas tij, fillimisht janë hedhur karrige dhe sende të tjera,  duke bllokuar derën hyrëse të katit të trete ku ndahet Këshilli i Qarkut me pjesën që i përket Bashkisë. Na shanë shumë rëndë.  Pastaj grupi i personave nisi të godiste Flamurin. Unë u futa për ti ndarë kur nga pas më erdhi dhe më goditi njëri nga të afërmit e Ahmet Krasniqit. Edmond e quajnë. Atij nuk ia fal. Më goditi çnjerëzisht, duke më shkaktuar këtë gjendje, u shpreh Sula.

BOJKOTIMI
Një ditë pas ngjarjes në ambientet e Këshillit të Qarkut, dje janë paraqitur në zyrat e këtij institucioni Artur Shehu dhe Vangjel Ndreko. Asnjëri prej tyre nuk reagoi me ndonjë deklaratë tjetër në lidhje me ngjarjen. Edhe administrata është paraqitur në punë, me përjashtim të drejtorit të Pronave, Ahmet Krasniqit. Ky i fundit është në kërkim bashkë me dy të afërmit e tij, Edmond dhe Agron Krasniqi, pasi akuzohen për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje e lehtë me dashje e kryer në bashkëpunim. Ndërsa e gjithë administrata ndodhej në punë, kanë qenë qytetarët që e kanë bojkotuar atë. Askush nuk është paraqitur dje në Këshillin e Qarkut për të kryer veprime në lidhje me ndonjë dokument në kompetencë të këtij institucioni.

FIER/ MAJLINDA RAMA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›