Masakra me shkopinj bejsbolli në tavernë, 26 vjet burg autorëve

Gjykata e Tiranes
TIRANE Më 26 shkurt 2011, një 27-vjeçar vdiq pranë një taverne në Rrugën e Durrësit në Tiranë, pasi u rrah barbarisht duke u goditur në kokë dhe trup me shkopinj bejsbolli. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës deklaroi fajtorë tre të akuzuarit për këtë ngjarje, dy vëllezër dhe djalin e xhaxhait të tyre, dhe i dënoi ata me një total prej 26 vjetësh burg. Të pandehurit Ilir, Elis dhe Elidon Peraj u deklaruan të fajshëm për akuzat e vrasjes me dashje në dëm të Alban Kolecit dhe plagosje të rëndë me dashje në dëm të Agostin Gjergjajt, të dyja kryer në bashkëpunim. Ilir Peraj u dënua me 10 vjet burg, ndërsa vëllezërit Elis dhe Elidon Peraj u dënuan përkatësisht me 9 vjet e 4 muaj dhe 6 vjet e 8 muaj burg. Gjykimi i tyre u bë me kohë të shkurtuar, prej të cilit në masën e dënimit përfundimtar përfituan uljen e një së tretës. Sipas vendimit të gjykatës, sherri që përfundoi me vdekjen e Alban Kolecit dhe plagosjen e rëndë të shokut të tij, kishte pasur si fillesë rrëmujën që viktima kishte bërë bë tavernën e Ilir Perajt. Për shkak se kanë konsumuar pije alkoolike, Koleci ka filluar të thyejë disa gota dhe shishe nga tavolina ku ai ndodhej së bashku me rrethin e tij shoqëror duke sjellë në këtë mënyrë shqetësim në lokal dhe për frekuentuesit e tij. Për këtë shkak, mes tij dhe dy prej të pandehurve ka nisur një debat me fjalë, që më pas ka përfunduar dhunshëm. Gjatë kohës që shtetasi Alban Koleci qëndronte në lokal dhe kur ai po dilte jashtë lokalit, ndërmjet tij dhe të pandehurve Ilir Peraj dhe Elis Peraj ka filluar një debat me fjalë, pikërisht për sjelljet e atij dhe të shokëve të tij në lokal. Rezulton nga aktet se më pas debati është acaruar duke vazhduar me goditje reciproke të palëve me grushte me njëri-tjetrin, ku është përfshirë dhe i pandehuri Elidon Peraj. Pas kësaj, sipas organit të akuzës, të pandehurit Ilir Peraj, Elis Peraj dhe Elidon Peraj, në dalje të lokalit kanë marrë shkopinj që shërbejnë për të luajtur bejsboll dhe më këta shkopinj, të tre, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë filluar të godasin në pjesë të ndryshme të trupit shtetasin Alban Koleci, thuhej në vendim. ar.ba
Vrasja me dashje
Goditjet me shkopinj bejsbolli i kanë marrë jetën Alban Kolecit. Vetëm në kokën e shtetasit Alban Koleci (viktimës) janë konstatuar shtatë dëmtime, çka tregojnë se të pandehurit si autorë të këtyre dëmtimeve kanë pasur si qëllim të vetëm vdekjen e tij, shprehej Gjykata në vendimin përfundimtar.