Muzetë shqiptarë lirojnë biletat
Qeveria shqiptare vendosi që të ulë çmimet e biletave për kategori të caktuara shoqërore që vizitojnë muzetë publikë në Shqipëri.
Nga Express më 02 qershor 2011 në ora 07:50
Këto ndryshime vendosin një diferencim në tarifimin e biletës për të miturit deri në moshën 8-vjeçare, si dhe një tarifim të reduktuar për studentët dhe nxënësit që i vizitojnë destinacionet e trashëgimisë kulturore, muzetë, parqet arkeologjike dhe monumentet e kulturës.
Ndarja e tarifimit për kategoritë e caktuara shoqërore synon të rrisë vizitueshmërinë e destinacioneve të trashëgimisë kulturore shqiptare, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Veç kësaj, kjo masë e Qeverisë së Shqipërisë synon të ndihmojë studentët dhe nxënësit, jo vetëm përmes ofrimit të njohjes së trashëgimisë kulturore, por edhe përmes ofrimit të programeve të ndryshme parauniversitare dhe pasuniversitare për ta. NOA