Kurthet dhe intrigat e Edvinit, thërret ca mbledhje, që s’duhet ta shkarkojnë
Edi Rama ka mbërritur në nivele shumë jopolitike dhe të turpshme. Ai ka thirrur për të martën mbledhjen e Asamblesë, e cila duhet manipuluar, që të thërrasë një kongres të fallsifikuar me 28 gusht. Tek ky kongres, i thirrur sipas konsulencës së Erion Velisë e Koço Kokëdhimës, si dhe me përgjegjësinë partiake të Gramoz Ruçit, Namik Dokles e Fatmir Xhafës, Edvini nuk do lejojë të marrin pjesë kritikët, ka përjashtuar deputetët aktualë të partisë, të cilët janë shprehur kundër tij, si dhe ka bërë gati rezolutën që s’njeh zgjedhjet dhe rimandaton Edvinin në krye të opozitës
Edvin Rama, kreu i PS-së, po përpiqet të keqpërdorë Statutin e partisë, për të shmangur dorëheqjen nga drejtimi, por edhe për të qëndruar në krye të kësaj partie, duke e hedhur thjesht dhe vetëm me një deklaratë apo qëndrim të forumeve drejtuese të kësaj partie, për mos njohjen e zgjedhjeve.
Për realizimin e këtij plani, Edvin Rama, ka projektuar një numër kurthesh dhe intrigash, siç edhe ka përzgjedhur edhe bashkëpunëtorët formalë dhe informalë.
Si fillim ai ka lajmëruar thirrjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, ditën e martë, ndërsa brenda muajit gusht, saktësisht në 28 gusht 2009, pritet të mblidhet edhe kongresi i kësaj partie. Ndërsa ky kongres sipas statusit duhet të mblidhet në muajin tetor, Edvin Rama, po nxiton ta mbledhë në gusht, ku nëpërmjet një qëndrimi zyrtar të imponuar të këtij kongresi, do të tentojë ti shpëtojë largimit nga PS-ja, me një deklaratë për mosnjohjen e zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, Edvin Rama, ka marrë masa që nëpërmjet një force paramilitare që ka krijuar që para zgjedhjeve me ish-policë e ish-oficerë police, të pengojë pjesëmarrjen e drejtuesve e anëtarëve të PS-ës, që kanë shprehur mendime kundër deri tani. Nga ana tjetër kjo forcë paramilitare është përgatitur që të mos lejojë të shprehë mendimin kundër, edhe ndonjë “element armiqësor” i paidentifikuar ende.
Asambleja
Ditën e martë, PS-ja ka paralajmëruar mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të saj. Burime brenda kësaj partie, bëjnë të ditur se objekt i kësaj mbledhje, do të jetë caktimi i datës së mbledhjes së kongresit, jashtë radhe të PS-së. Sipas të njëjtave burimeve brenda nga selia e PS-ës, mësohet se Edvin Rama, po shfrytëzon nenin 21 të Statutit të PSSH-së, i cili parashikon thirrjen e kongresit jashtë radhe nga ana e Asamblesë Kombëtare ët PS-ës.
Sipas nenit 21, pikave 2 e 3 të tij, parashikon që “Kongresi zgjedhor mund të mblidhet jashtë radhe me kërkesë të AK të PSSH, me kërkesë të jo më pak se 1/3 e delegatëve të Kongresit ose 1/3 e anëtarëve të Partisë. Kongresi i Jashtëzakonshëm thirret me vendim të Asamblesë Kombëtare të PSSH jo më vonë se 2 muaj nga data e marrjes së vendimit”.
Të njëjta burime brenda PS-ës, bëjnë të ditur se për organizmin e kësaj farse, e cila i shërben vetëm një qëllimi, Edvin Rama ka përzgjedhur edhe bashkëpunëtorët formalë, ët cilët janë Fatmir Xhafaj, Namik Dokle, Gramoz Ruçi, etj., por edhe “konsulentët” e jashtëm, që kryesohen nga Koço Kokëdhima dhe Erjon Veliaj.
Kongresi
Ndërsa Asambleja Kombëtare e PS-së, do të ketë misionin formal të caktimit të datës së paracaktuar të kongresit, vetë kongresi i PS-së, i datës 28 gusht, do të ketë “misionin historik”, jo vetëm të votimit të mundshëm të një deklarate për mosnjohjen e zgjedhjeve, por edhe të lënies në krye të PS-ës, të Edvin Ramës, nën justifikimin e “mosnjohjes së zgjedhjeve”.
Kongresi i datës 28 gusht 2009, i paralajmëruar për t’u mbledhur nga ana e PS-ës, do të ketë edhe anët e tij të errëta, pse jo edhe dystandardizimin.
Për t’u ndjerë sa më i sigurt dhe sa më i pashqetësuar, Edvin Rama, gjatë kësaj kohe do të marrë masa për ndryshimin e delegatëve të kongresit, duke ndryshuar fillimisht, deputetët e vjetër të para 28 qershorit, me ata që u mandatuan në 28 qershor 2009. Kështu, ndërsa Edvin Rama, pretendon të dalë me një deklaratë për mosnjohje zgjedhjesh në kongresin e PS-ës, në fund të gushti, ai nuk do të ngurrojë nga ana tjetër, që të njohë vetëm deputetët e mandatuar në zgjedhjet e fundit. Për këtë Edvin Rama, ka marrë masa që në zbatim të nenit 22 të Statutit të PSSH, pikërisht pikat 1 dhe 2 të këtij neni, të sigurojë zëvendësimin e rreth 40 deputetëve të legjislaturës së sapo mbyllur, me 65 deputetët e mandatuar në zgjedhjet e 28 qershorit.
Pjesë nga Statuti i PSSH-ës
Neni 21
Kongresi i PSSH
2. Kongresi zgjedhor mblidhet një herë në 4 vjet kur përfundon mandatin e tij. Ai mund të mblidhet jashtë radhe me kërkesë të AK të PSSH, me kërkesë të jo më pak se 1/3 e delegatëve të Kongresit ose 1/3 e anëtarëve të Partisë.
3. Kongresi i Jashtëzakonshëm thirret me vendim të Asamblesë Kombëtare të PSSH jo më vonë se 2 muaj nga data e marrjes së vendimit.
Neni 22
Delegatët e Kongresit të PSSH
1. Delegatët e Kongresit zgjidhen nga anëtarësia e Partisë e bashkive/komunave sipas parimit një anëtar një votë dhe normës së përfaqësimit të miratuar nga AK e PSSH.
2. Kryetari i PSSH, anëtarët e partisë që kanë pasur mandat të Kryetarit të Partisë, të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit, deputetët socialistë anëtarë partie, anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PSSH, që nuk përfshihen në kategoritë e mësipërme, kryetari i KGS dhe KZP, kryetarët e PS të bashkive/komunave, kryetarët e bashkive, komunave dhe qarqeve anëtarë partie, kryetari i FRESSH, kryetarja e FGSSH janë drejtpërdrejt delegatë të Kongresit të Partisë.
...