“Reformim institucionit duke filluar nga dorëzimi i imunitetit”
Kuvend, votohet Bujar Leskaj për kryetar të KLSH
Me 70 vota “pro”, 61 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi votoi dje dekretin e Presidentit, për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Opozita kundërshtoi kandidaturën e Bujar Leskajt, duke mbajtur kështu të njëjtin qëndrim që u shpreh edhe dy ditë më parë në komisionin parlamentar të ekonomisë dhe financave. Nga përfaqësuesit e opozitës, vetëm Vangjel Dule ka shprehur votën “pro” kandidaturës së Leskajt. Gjatë seancës në komisionin parlamentar të Ekonomisë, Bujar Leskaj prezantoi vizionin e tij të drejtimit të KLSH-së, duke deklaruar se hapi i parë i tij, porsa të marrë detyrën, do të jetë dorëzimi i imunitetit të kreut të KLSH-së, një projekt ky i propaganduar nga e djathta. Leskaj tha se do të bashkëpunojë fort me Prokurorinë, në mënyrë që kontrollet e administratës fiskale, të tenderimit dhe dhënies së koncesioneve dhe kryerjes së privatizimeve, të jenë sa më efikase. Ish-ministri i Turizmit Bujar Leskaj, u propozua si kandidat për postin e kreut të KLSH-së nga Presidenti i Republikës Bamir Topi në 17 nëntor.
Bujar Leskaj vjen me një background të çmuar në fushën e ekonomisë dhe financave ndërsa ka përfunduar dhe Fakultetin Juridik. Leskaj mban gradën e Doktorit të Shkencave Ekonomike. Ai ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës në fakultetin Gjeologji-Miniera, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë dhe Fakultetin e Drejtësisë, ndërsa ka mbrojtur Masterin dhe Doktoraturën në fushën e Financës pranë Universitetit të Tiranës, mban dhe titullin e avokatit.
Po ashtu Leskaj ka studiuar në Universitetin e Nebraskës – Lincoln në SHBA, në departamentin e Menaxhimit. Në Universitetin Bamberg të Gjermanisë ai është specializuar për Financat publike.
Bujar Leskaj ka punuar si doganier e më pas Kryetar i Degës së Doganës se Vlorës deri në vitin 1997 dhe më pas si nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Nga viti 2000 e në vijim ushtroi profesionin e pedagogut të brendshëm ose të jashtëm në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Aktivitetin e tij politik Leskaj e nisi në janarin e vitit 1997, ku u bë anëtar i Partisë Demokratike. Që prej 2001-shit Leskaj është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.
Në legjislaturën e vitit 2005 – 2009, mandati i parë i demokratëve që u rikthyen në pushtet, pjesë e grupit të tyre parlamentar ishte dhe Bujar Leskaj, si deputet i Vlorës.
Bujar Leskaj do të behej dhe anëtar i qeverisë së parë të kryeministrit Berisha. Nga shtatori i vitit 2005 deri në mars të 2007-ës do të mbante postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Bujar Leskaj është gjithashtu autor i disa botimeve, ndër të cilët spikasin “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912 – 2009” , “Brenda dhe Jashtë… Parlamentit”, “Senjorazhi” i cili është dhe punimi për doktoraturën që ka mbrojtur. Të përmbledhura në dy botime janë dhe cikli i leksioneve të tij “Në lëndën Paraja dhe Bankat”, dhe “Leksione në Financë”.
Libri më i fundit është botuar këtë vit dhe mban titullin “Muzat e Qëndresës”.