Kërcënimi i Ramës: Asnjë bashkëpunim me qeverinë
Kryesocialisti Edi Rama kërcënoi dje mazhorancën qeverisëse
Kryetari i Partisë Socialiste kërcënon qeverinë se do të ndërpresë çdo marrëdhënie bashkëpunimi me të. Komenti i tij u bë gjatë një bashkëbisedimi që zhvilloi dje me gazetarët. Këtë herë, kreu i socialistëve përdori si pretekst të radhës fletët e votimit. Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë shprehur ditët e fundit se në zbatim të ligjit ata do të vendosin për djegien e fletëve të votimit sapo të dekretohet data për zgjedhjet e ardhshme lokale. Kjo në kuadër të nisjes së përgatitjeve për procesin e ri zgjedhor. Por, kryesocialisti Rama e konsideron zbatimin e Kodit Zgjedhor si një mjet për të penguar funksionimin normal të politikës.
Deklarata
Djegia e fletëve të votimit do të ishte hedhja në erë e çdo ure komunikimi me pushtetin aktual për çfarëdo arsye dhe në çfarëdo rrethane, gjë që sigurisht do ta thellonte në mënyrë eksponenciale krizën, - deklaroi dje kryetari i PS-së, duke kërcënuar për ndërprerjen e çdo bashkëpunimi me mazhorancën. Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë shprehur ditët e fundit se djegia e fletëve të votimit do të bëhet në shtator. Sipas tyre, ky është një detyrim ligjor dhe askush nuk duhet të çuditet nga zbatimi i kodit. KQZ nuk donte të futej në konfliktin që ishte ndërmjet partive politike. Gjithsesi, mendoj që elementi kohë ka efektin e vet në një proces zgjedhor. Jemi fare pranë daljes së dekretit të Presidentit për zgjedhjet lokale dhe me daljen e tij, KQZ duhet të ndërtojë një plan orientues të punëve sipas procedurave dhe afateve që ka një proces zgjedhor. Një ndër to është edhe përgatitja e infrastrukturës, logjistikës dhe kutitë e votimit janë pjesë e kësaj infrastrukture. Dekreti është orientues që KQZ të fillojë në mënyrë intensive përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Është e pafalshme për ne, në rast se procesi i ardhshëm do të çalojë apo do të vihet në rrezik, qoftë edhe për këtë element, - ka pohuar pak ditë më parë anëtari i KQZ-së, Klement Zguri.
Kryesocialisti Rama në bashkëbisedimin e djeshëm me gazetarët ka diskutuar edhe për çështjen e incidentit në Himarë, duke kritikuar qëndrimet e aleatit të tij, kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ne i qëndrojmë parimit të besnikërisë ndaj të vërtetës përpara besnikërisë ndaj partisë. Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve, thuhet në një fjalë të madhe. Patriotizmi është ajo që i çon kombet dhe vendet përpara, - tha Rama.
I pyetur për kandidimin për herë të katërt për kreun e Bashkisë së Tiranës, Rama pohoi se nuk është momenti për këtë diskutim, duke mos përjashtuar në këtë mënyrë edhe mundësinë e rikandidimit të tij. Ai ka paralajmëruar ndërkohë se do të vijojnë akuzat ndaj përfaqësuesve të mazhorancës, duke e konsideruar këtë si një zbardhje të korrupsionit. Ndërkohë që paralajmëroi rrëzimin e koncesioneve të dhëna gjatë qeverisjes së djathtë, duke hedhur poshtë punën e bërë deri tani në fushën ekonomike.