E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënohet i penduari i masakrës së Cërrikut

Kërcënohet i penduari i masakrës së Cërrikut. Bujar Buzani është shoqëruar dje me forca speciale të repartit special BRISK, pas debateve të ashpra me të vëllain Tomorr Buzanin, një seancë më parë. I penduari Buzani, një prej personave që ka hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë të shkaktuar në Cërrik në vitin 1997, ku u dogjën të gjallë gardistët, nuk mundi të vazhdonte dëshminë seancën e kaluar. Ai është kërcënuar në përfundim të saj sapo ka filluar t‘u përgjigjet pyetjeve të akuzës dhe të tregojë se si arritën të armatoseshin dhe të qëllonin mbi gardistët. Një seancë më parë, avokatët e të pandehurve kanë kërkuar ekspertim psikik për Bujar Buzanin, ndërsa prokuroria e kundërshton. Ndërkaq, seanca e djeshme është mbyllur me debate të ashpra midis gjykatës, të pandehurve dhe avokatëve. Këta të fundit nuk kanë qenë të gjithë sallë, çka ka sjellë shtyrjen e gjyqit. Gjykata kërkoi që avokatët të zëvendësohen, pasi mosprania e tyre nuk ishte e justifikuar.

I penduari
Nën masa të rrepta sigurie, i penduari i masakrës së Cërrikut është çuar në gjykatë nga një trupë speciale e forcave policore. Këta të fundit kanë "siguruar" Bujar Buzanin nga të pandehurit e tjerë, nga frika e një hakmarrjeje të mundshme. Nga të dhënat brenda seancës mësohet se Buzani është kërcënuar nga i vëllai, Tomorr Buzani, pas dëshmisë së dhënë para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku dëshmoi se ditën e 23 majit të vitit 1997 të gjithë kanë qenë të armatosur me granata, bomba dore, kallashnikovë, pushkë, madje edhe me antitank. Buzani fajësoi Met Bozin dhe Bujar Xhepaxhiun si organizatorë të masakrës së Cërrikut. Ai ka fajësuar edhe vëllanë e tij, Tomorr Buzani, dhe dy kushërinjtë, Xhet e Arjan Toska, si pjesëmarrës në masakër. Katër kushërinjtë janë të gjithë të arrestuar dhe dënuar për vepra të tjera penale. Ai ka dëshmuar se mbi gardistët është qëlluar me urdhër dhe në befasi. Një pjesë e tyre kanë qëndruar te kinemaja dhe pjesa tjetër janë sistemuar mbi tarraca. Sapo blindi i Gardës ka hyrë në Cërrik duke ardhur nga rruga e Belshit, është qëlluar me antitank. "Urdhrat për të sulmuar autokolonën, e cila kryesohej nga blindi i Gardës së Republikës, na erdhën nga lart. Me gjithë ato që kemi bërë, ne meritojmë të marrim dënimin më të rëndë. Kemi qenë të gjithë atje pa përjashtim. Na premtuan viza për në Amerikë", ka dëshmuar Buzani, çka ka ngjallur reagimin e të vëllait Tomorri dhe dy vëllezërve Toska, të cilët e kanë kërcënuar deri në eliminim fizik.

Dëshmia
"Met Bozi na tha se pasi të kishim kryer aktin, do të pajiseshim që të gjithë me viza amerikane dhe do të largoheshim me familjet" ka thënë Bujar Buzani para Gjykatës së Krimeve të Rënda. I penduari tha se familjet e tyre kanë vazhduar të qëndrojnë në Cërrik dhe prej vitesh janë duke vuajtur pasojat e krimit. "Ne ishim në shtëpi duke ndenjur me familjet. Për të na dhënë urdhrat e parë ka ardhur Met Bozi. Në atë kohë, Met Bozi ka qenë kryetar i Komitetit të Shpëtimit. Bozi na lajmëroi se drejt Cërrikut po vinte autokolona që ishte nisur nga Belshi. Kështu ai na caktoi që të shkonim te kinemaja. Të tjerët qëndruan mbi tarraca. Met Bozi na tha të qëllonim për të mbrojtur familjet, sepse, sipas tij, Garda kishte ardhur për të vrarë familjet tona. Na kishin vënë edhe prita", dëshmoi midis të tjerash Bujar Buzani. Sipas tij, grupi i tyre, që udhëhiqej nga Met Bozi dhe Arjan Toska, ishin në hasmëri me Mandelën. Sipas Bujar Buzanit, kjo ka qenë dhe një nga pikat e forta që ka shfrytëzuar Met Bozi. Ai është shprehur se Met Bozi e dinte këtë gjë dhe përveçse na tha të mbrohemi nga Mandela, një prej kapobandave të Elbasanit, na bëri të ditur edhe pozicionet për të qëlluar mbi gardistët. Buzani shtoi se Mandela i kishte sulmuar dhe për këtë qëllim.

Buzani, akuza familjarëve për masakrën

"Unë jam dëshmitari i gjallë i masakrës me autoblinda në qytetin e Cërrikut"

Bujar Buzani, përveçse ka akuzuar dy kushërinjtë për ngjarjen e rëndë të 23 majit 1997, ka vënë para përgjegjësisë edhe vëllanë e tij, Tomorr Buzanin. Ai është shprehur para gjykatës se ka qenë gjatë gjithë kohës te kinemaja, atje ku dhe ishin përqendruar, por ai që ka gjuajtur, sipas tij, ishte Arjan Toska, kushëriri i tij. Ky, sipas Bujar Buzanit, ka gjuajtur me antitank dhe ka arritur t‘i vërë flakën blindit ku ndodheshin gjashtë gardistët. Më pas, Buzani ka treguar se edhe vëllai, Tomorr Buzani, kishte në dorë një armë automatike dhe me të ka qëlluar drejt policisë. Të gjithë, sipas të penduarit, kanë qenë aktivë, sepse vetëm për këtë gjë ishin përgatitur. "Të gjithë janë përgjegjës për atë ngjarje të rëndë. Vëllai im, Tomorr Buzani, ka gjuajtur me automatik. Ndërsa djali i tezes, Arjan Toska, ka qenë personi më kryesor. Ai ka pasur në dorë antitankun. Ka qëlluar në drejtim të blindit ku ndodheshin gardistët. Gjithçka e kemi bërë me vetëdije", ka dëshmuar i penduari.

Precedenti

Bandat e Durrësit kërcënuan të penduarin Coli

Adriatik Coli, i penduari që ka treguar "mëkatet" e organizatave kriminale të Durrësit, është kërcënuar shpeshherë në sallën e gjyqit nga ish-shokët e tij. Gjatë 80 seancave gjyqësore, i penduari Coli nuk ka arritur të dëshmojë, megjithëse gjyqi ka filluar para dy vjetësh. Ende nuk është realizuar asnjë seancë gjyqësore, ku palët në proces fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin. Megjithatë, të pandehurit në këto seanca gjyqësore kanë kërcënuar deri në eliminim fizik Adriatik Colin, i cili, duke parë situatën që ishte jashtë kontrollit dy seanca më parë, ka kërcënuar avokatët se "do të hani plumbin nëse nuk vini në gjyq". Megjithatë rreth 25 forca të BISKUT-ut angazhohen çdo të enjte për dërgimin e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›