Ikën Darrel Hart, vjen Bullar, shefi i ri i ICITAP
Largohet nga Shqipëria kreu i programit amerikan ICITAP, Darel Hart. Ai i ka dhënë fund misionit të tij ditën e djeshme, ku është dekoruar edhe nga Presidenti i Republikës, me Medaljen e Mirënjohjes, "Për vlerat dhe kontributin e tij në drejtimin e Misionit ICITAP në Shqipëri në periudhën 2006-2009 dhe për cilësinë e lartë të asistencës, duke ndikuar direkt në rritjen e standardeve të Policisë së Shtetit". Zoti Hart ka vlerësuar progresin e bërë dhe reformat e kryera në strukturat e Policisë së Shtetit vitet e fundit duke e falënderuar Kryetarin e Shtetit për nderimin e lartë dhe ka shprehur bindjen në vijim të bashkëpunimit me strukturat e shtetit shqiptar edhe në të ardhmen. Pas këtij takimi është zhvilluar ceremonia e largimit të Darel Hart. Në këtë ceremoni merrte pjesë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Në fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë vlerësoi bashkëpunim në këto tre vite me misionin amerikan ICITAP. "Gjatë këtyre viteve janë ndërmarrë reforma, të cilat kanë konsistuar në transformimin e sistemit të trajnimit policor, hapjen e kurseve të para të trajnimeve bazë, hartimin e ligjit të ri për Policinë e Shtetit, implementimin e sistemit të ecjes në karrierë në bazë të aftësive dhe meritave, futjen gjerësisht e sistemit kompjuterik në polici, hartimin e miratimin e të gjithë kuadrit nënligjor të mbështetjes së legjislacionit të ri", tha Prençi. Ndërsa ministri i Brendshëm, nga ana e tij falënderoi për kontributin e gjithë bashkëpunëtorëve të programit ICITAP, dhe veçanërisht të zotit Hart në drejtimin e këtij misioni. "Policia shqiptare ka përfituar nga ky bashkëpunim i misionit, nivele të larta të legjislacionit, struktura funksionale dhe të afta në Policinë e Shtetit, procese rekrutimi, transparente ligjore dhe trajnime mbi kurrikula të përparuara. Sisteme moderne elektronike të këmbimit të të dhënave, lidhur me kontrollin e kufirit. Misioni ICITAP është një punë konkrete, një investim konkret, një partner konkret. Çdo cent i shpenzuar nga paratë e qytetarëve amerikanë, për trajnimin e punonjësve të policisë, për forcimin dhe funksionalitetin e institucioneve të ligjit në Shqipëri, ka qenë eficent dhe rezultativ", deklaroi ministri. Më tej, zoti Hart përshëndeti të pranishmit dhe rrëfeu se ku do ta vazhdonte karrierën e tij. "Meqenëse nuk i kam shkruar ato që do të them, sot do të flas nga zemra. Kam ardhur në Shqipëri në vitin 1995, dhe mund ta them pa hezitim se, keni bërë një rrugë shumë të gjatë. Ato miqësi, të cilat i lidha në vitin 1995, i rifreskova me ardhjen time në vitin 2005, ndërkohë që miq të rinj kam njohur dhe do t‘i kem të tillë përjetë", u shpreh Hart. "Kur njerëzit më pyesin, unë i them se kjo është puna më e mirë që unë kam pasur gjatë gjithë karrierës sime. Në Ministri dhe në Policinë e Shtetit ne gjetëm një partner të predispozuar dhe me vullnet të mirë. Gjithashtu, programi ICITAP në përbërjen e vet ka ekipin më të mirë, për të cilën do të kisha dëshiruar të vazhdoja punët që ne kemi marrë përsipër", shtoi ai. Tashmë, ai do marrë një detyrë tjetër në Kosovë, ndërsa është zëvendësuar nga Gary Bullar.