Hapet spitali psikiatrik për të burgosurit
Strehim e trajtim mjekësor për të dënuarit me probleme mendore. Dje në mesditë, ministri i Drejtësisë, Enkeled Alibeaj, përuroi Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe godinën e re të spitalit të të sëmurëve mendorë me mjekim të detyruar në Durrës. Dy godinat janë ristrukturuar dhe ndërtuar me një investim prej afro 158 milionë lekësh nga buxheti i shtetit dhe gjatë ceremonisë së organizuar në hyrje të Durrësit, aty ku ato ndodhen, morën pjesë drejtuesit më të lartë të pushtetit vendor si dhe përfaqësues të lartë të Drejtorisë së Burgjeve. Në ish-godinën e Spitalit Ushtarak italian, me problematikën e mprehtë që doli në pah gjatë viteve të fundit nga krimet e njëpasnjëshme të personave me sëmundje mendore, u pa si i domosdoshëm ngritja e spitalit psikiatrik për të gjithë të dënuarit që kanë shfaqur çrregullime mendore gjatë vuajtjes së dënimit. Ndërkaq në institucion e ekzekutimit të vendimeve penale ka 245 persona dhe shërben një personel prej 202 vetësh, nga të cilët 158 janë uniforma të policisë së shtetit. Ky institucion do të ketë katër seksione, ku përfshihen persona madhorë, minorenët, bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe kampi i zakonshëm. Në shërbim të tyre janë vendosur tre psikologë, dy punonjës socialë, dy edukatorë si dhe nëntë punonjës të shërbimit shëndetësor, mjekë, infermierë dhe një dentist. Brenda godinës ka dhe kënd sportiv, bibliotekë, palestër force, fushë minifutbolli, si dhe mjedise për objekte kulti, kishë dhe xhami. Në godinat e reja dhe me hapësirë ka 56 dhoma, 4 prej të cilave në një sektor të veçantë janë për të burgosurit e mitur. Në oborrin e kompleksit, i cili në vitet 1999-2002 gjatë krizës së Kosovës ka shërbyer i spital i forcave të NATO-s, tashmë janë ndërtuar dhe ristrukturuar godinat që do të shërbejnë së shpejti edhe si spital i të sëmurëve mendorë me mjekim të detyruar, pra të përcaktuar si të tillë nga organet e drejtësisë. Kjo kategori aktualisht trajtohet në Krujë dhe së shpejti ata do të transferohen në Durrës. Në dy vitet e fundit janë hapur pesë institucione të reja të ekzekutimit të vendimeve penale në Fushë-Krujë, Korçë, Kavajë, Vlorë dhe Durrës.