E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënohet me jetë për pronat kryegjyqtari i Vlorës

Artur Malaj, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë

Pranga 58-vjeçarit. I çoi SMS Artur Malajt, gjyqtar i çështjes së tij.

Kreu i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj, është kërcënuar me jetë për shkak të detyrës. Një mesazh në telefonin e kryegjyqtarit ka vënë në lëvizje Policinë e Vlorës, e cila dje arriti të prangosë dërguesin e SMS-së, 58-vjeçarin Mentor Mustafaraj. Ky i fundit ishte në proces gjyqësor me dy ndërtues vlonjatë, pasi pretendonte se ata po ngrinin një pallat shumëkatësh në pronat e tij, në zonën e Ujit të Ftohtë. Burime nga Gjykata bënë të ditur se kryetari i trupit gjykues për këtë çështje është Artur Malaj, njëkohësisht kreu i Gjykatës së Vlorës. Pas disa seancave gjyqësore, duke parandier se trupi gjykues mund ti jepte të drejtë palës kundërshtare, Mustafaraj i ka dërguar një SMS kryetarit Malaj duke kërcënuar atë dhe familjen e tij se nëse toka u jepet kundërshtarëve, do të vrisnin atë, gruan dhe vajzën. Sipas Policisë, mesazhi ka mbërritur në celularin e kryegjyqtarit më 10 qershor të këtij viti. Kërcënimi për shkak të detyrës është vlerësuar edhe nga vetë Malaj, i cili ia ka referuar atë për hetim Policisë e Prokurorisë. Menjëherë shërbimet e Antiterrorit nisën hetimin dhe arritën të identifikonin autorin. Nisur edhe nga ngjarja e rëndë me gjyqtarin Skerdilajd Konomi, atentati ndaj të cilit tronditi vendin, Policia mori menjëherë në mbrojtje familjen e Malajt në Tiranë dhe nisi hetimet. 10 ditë më pas, 58-vjeçari u arrestua për kryerjen e veprës penale kanosje e gjyqtarit për shkak të detyrës. Mësohet se ai nuk e ka pranuar akuzën dhe as kërcënimin e gjyqtarit, por Prokuroria ka tashmë fakt SMS-në e dërguar prej tij në numrin celular të Malajt.
Policia e Vlorës është e vendosur të luftojë kriminalitetin pa kompromis dhe të arrestojë çdo person që do të kërcënojë apo do të ndërmarrë veprime të paligjshme kundrejt zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike, thuhej në komunikatën e Policisë në lidhje me këtë ngjarje. Për të evituar një precedent tjetër të rëndë në Gjyqësorin e Vlorës, Policia ka marrë në mbrojtje edhe Artur Malajn gjatë të gjithë këtyre ditëve, deri në arrestimin e kërcënuesit të tij. Gjatë 10 ditëve, kryegjyqtari është shoqëruar nga një eskortë e veçantë thuajse në të gjitha lëvizjet e tij. Burime nga Policia bënë të ditur se i arrestuari është pronar i një sipërfaqeje të konsiderueshme pronash në afërsi të vendit të quajtur Marina në bregdet. Ai ka hapur disa procese gjyqësore, pasi siç mësohet, janë bërë mbivendosje gjatë këtyre viteve dhe figurojnë për mjaft sipërfaqe pronarë të tjerë. Ndërsa çështja që ai kishte hapur proces gjyqësor dy muaj më parë, ishte për ndërtuesit e një pallati që po ndërtonin në pronën që 58-vjeçari e konsideronte të tijën. Mustafaraj nuk kishte arritur të zgjidhte mosmarrëveshjet me ndërtuesit, duke iu drejtuar sërish Gjykatës.

Një vit më parë u vra gjyqtari Konomi
Gjykata e Vlorës u trondit një vit më parë, kur një prej togave të zeza të saj u vra në një atentat, duke shënuar kështu precedentin e parë në Shqipëri të vrasjes së një gjyqtari. Skerdilajd Konomi, 33 vjeç, po lëvizte me një mjet tip Benz, kur papritmas shpërtheu në bulevardin qendror të Vlorës në mes të ditës. Persona ende të paidentifikuar i kishin vendosur lëndën plasëse në mjet dhe e kanë shpërthyer me telekomandë, kur Konomi ishte në lëvizje drejt Gjykatës. Gjatë hetimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda konkludoi se pas daljes nga banesa, gjyqtari ka pirë një kafe në zonën e Skelës me dy miq të tij. Më pas, ai është nisur me makinën e bashkëshortes së tij për në punë. Dyshohet se autorët qëllimisht i kishin dëmtuar gomat dhe më pas kanë vënë lëndën eksplozive në mjetin e së shoqes me qëllim eliminimin e gjyqtarit. Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 shtator 2011. Gjyqtarët e të gjithë vendit pezulluan punën në shenjë solidariteti për kolegun e tyre dhe kërkuan zbardhjen e ngjarjes që tronditi vendin.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›