Pas lindjes së vajzës, kthehet në skenë Inva Mula

Sopranoja Inva Mula
Sopranoja në rolin e Mimisë në Festivalin e Oranges.
Vetëm 2 muaj pas lindjes së Ninës, sopranoja do ngjitet në skenë para 6 mijë spektatorëve.
Vetëm dy muaj pasi është bërë nënë për herë të dytë, sopranoja Inva Mula i kthehet sërish skenës operistike. Ndonëse do të kishte dashur të rrinte më shumë pranë Ninës së vogël, sopranoja është e ndërgjegjshme se skena nuk ti fal mungesat e gjata, aq më tepër që përgjatë kësaj periudhe asaj i është dashur të anulojë disa projekte, siç është ai i Pagliacit në Operën e Parisit, e cila u shfaq përgjatë muajve prill e maj. Sopranoja shqiptare do të kthehet në skenë me rolin e Mimisë, në operën e La Boheme të Giacomo Puccinit në Les Chorégies dOrange. Do të jetë pikërisht amfiteatri antik roman në Orange, i cili do të mirëpresë sopranon shqiptare e, bashkë me të, edhe emra të tjerë të mëdhenj të operistikës botërore, që do të interpretojnë në këtë skenë prej 6 mijë spektatorësh, përgjatë një muaji. Sipas të përditshmes franceze Lë Figaro, sa u përket solistëve, është e vështirë të ëndërrosh më të mirë: Roberto Alagna, Patrizia Ciofi, Diana Damrau, Inva Mula, Vittorio Grigolo….
La Boheme
Nga data 7-31 korrik në amfiteatrin gjigant do të ngjiten dy opera të Puccinit, La Bohème dhe Turandot, si dhe dy koncerte Requiem të Mozartit dhe një mbrëmje lirike. La Bohème do të interpretohet nga Orkestra Filarmonike e Radio Francës, nën drejtimin e Myung Whun Chung, dhe Turandot nga Orkestra Kombëtare e Francës, nën drejtimin e Michel Plasson. Çka do të thotë se do të jenë mbrëmje yjesh. Siparin e festivalit do e ngrejë pikërisht opera me katër akte La Boheme, me protagoniste sopranon shqiptare Inva Mula. Për sopranon nuk është hera e parë që shkel në teatrin e Oranges. Tre vjet më parë ka kënduar pikërisht rolin e Nedës tek Pagliacci. La Boheme është një nga veprat më të bukura të kompozitorit italian e, siç ndodh rëndom në operat lirike, ka një fund tragjik për protagonisten, Miminë e brishtë, ndërkohë që për Inva Mulën duket se gjithçka po shkon mbarë, aq më shumë pas lindjes së të bijës. Pas shfaqjes në Orange në 7 dhe 10 korrik, Mula do të vijojë me kalendarin e saj, tashmë të përcaktuar edhe për vitin në vijim. Deri në majin e vitit që vjen, parashikohet që ajo të ngjitet në skenat e Dubrovnikut, Bolonjës, Marsejës, Monte Karlos e Bilbaos. Në këtë të fundit ajo do të këndojë sërish rolin e Mimisë.
Nënë për herë të dytë
Sopranoja Inva Mula u bë nënë për herë të dytë në datën 30 prill. Ishte ora 10:30, kur në një nga klinikat më të njohura në Paris, Clinique de la Muette në Rue Nicolo, lindi vajza e sopranos, e cila erdhi në jetë nga lidhja e Invës me biznesmenin Ethem Ramadani. Ky i fundit ka respektuar dëshirën e Invës për ta pagëzuar vajzën me emrin e nënës së saj, Nina, e cila u nda nga jeta jo shumë kohë më parë, pas një sëmundjeje të rëndë. Të dy e kanë konsideruar ardhjen në jetë të vajzës së tyre si një bekim, duke qenë që Inva tashmë është 49 vjeç (ditëlindja 1963). Nina lindi me një diferencë prej 17 vjetësh nga Anthony, djali i sopranos, lindur nga një martesë 22-vjeçare me kantautorin Pirro Çako. Ishte Inva Mula që bëri kërkesën për divorc në Gjykatën e Tiranës, në mars të vitit 2009. Ndonëse në fillim e mohoi, ajo nuk mund ta mbante më të fshehur lidhjen e saj me biznesmenin kosovar, me të cilin ishin njohur gjatë ceremonisë martesore të vajzës së Vera Grabockës e Timo Fllokos. Ata filluan të dilnin së bashku publikisht dhe në fund të vitit të shkuar u mësua lajmi i shtatzënisë së Invës.
Festivali
Teatri antik i Oranges, ku zhvillohet Festivali Les Chorégies dOrange
Les Chorégies dOrange është sot festivali më i hershëm francez, i cili daton qysh prej vitit 1869. Që në emër (choreos-kor) ai ruan traditën antike greko-latine. Është një teatër i ruajtur në mënyrë të mrekullueshme, me një kapacitet prej 8600 vendesh. Është një nga monumentet më të bukura të periudhës romane në Francë dhe është e vetmja ndërtesë e këtij lloji që ka ruajtur muret akustike. Skena ka një gjatësi prej 65 metrash, e shfrytëzueshme në 47 metra. Pas rënies së Perandorisë Romake, teatri u braktis si vend spektakli. Vetëm në fund të shek. XIX nisën restaurimet në monument. Les Chorégies dOrange, i cili i është kushtuar muzikës lirike, qëndron në krye të të gjtha festivaleve franceze dhe tashmë gëzon një reputacion ndërkombëtar. Premiera e parë është zhvilluar në vitin 1869 me një opera të Megul, Joseph. Synimi i teatrit antik ishte asokohe të promovonte autorët dramatikë francezë të epokës, duke u kthyer në rrënjët e tragjedive të mëdha greko-romake. Karakterin lirik teatri do ta merrte në vitin 1971 me krijimin e Nouvelles Chorégies, që asokohe pati shumë sukses. Në atë skenë janë ngjitur emrat më të mëdhenj të operistikës botërore, që kanë konfirmuar vit pas viti që ajo është një skenë ideale dhe me një prestigj ndërkombëtar.
ALMA MILE
