E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firmoset kontrata kolektive për artistët, përfitojnë të paangazhuarit

Dje gjatë firmosjes së kontratës kolektive në MTKRS

Mbrojtje të artistëve kundrejt arbitraritetit të drejtorëve. Këtë synon Sindikata e Pavarur e Artistëve Shqiptarë, e cila dje nënshkroi në parim Kontratën Kolektive të Punës me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Edhe për 5 vjet të tjera artistët, tashmë të punësuar, e kanë siguruar kontratën kolektive. Marrëveshja u firmos nga zv/ministri i TKRS-së, Abaz Hado dhe përfaqësuesit e SPASh, Reshat Ibrahimi, Irini Qirjako dhe Mirush Kabashi. Kontrata kolektive synon të rregullojë marrëdhëniet e punës midis punëdhënësve dhe punëmarrësve në fushën e artit dhe të kulturës, në përputhje me Kodin e Punës dhe me ligjin Për Artin dhe Kulturën. I pyetur në lidhje me kontratat individuale, mbi të cilat është diskutuar jo rrallë mes artistësh, madje edhe në Komisionin e Informimit dhe Medias, e që është parë si një mundësi për të shpëtuar institucionet nga gjendja moçalore, kryetari i SPASH, Reshat Ibrahimi, u shpreh se tashmë kjo është një çështje e mbyllur, madje duhet ta harrojnë të gjithë ata që e kanë ëndërruar. Sipas Ibrahimit, ka pasur disa tentativa për ta bërë një gjë të tillë, por fati i artistëve nuk mund të lihet në duart e drejtorëve dhe se me kontratën kolektive respektohet ligji Për Artin dhe Kulturën. Por nga ana tjetër nuk është marrë parasysh fakti që në disa nga institucionet tona kulturore kanë hedhur rrënjë artistë, të cilët nuk e kanë parë skenën prej shumë vitesh dhe me shumë gjasë, publiku nuk ua kujton më fytyrën. Kontratat individuale dhe të përkohshme, me të drejtë përsëritjeje, do nxisnin konkurrencën, impenjimin dhe do u jepnin shanse edhe artistëve të rinj të shpresonin dhe të preknin skenën. Kështu që kjo lloj kontrate, nga njëra anë i mbron vërtet artistët nga tekat e drejtorëve të institucioneve, por nga ana tjetër ruan gjendjen e vendnumërosë.
Është hera e tretë që kjo kontratë nënshkruhet midis MTKRS dhe SPASH. Për herë të parë, kontrata kolektive e punës e Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë është firmosur nga ish-ministri Bujar Leskaj, për një afat 3-vjeçar dhe më pas marrëdhënia kontraktuale është rinovuar po me të njëjtin afat nga ish-ministri Ardjan Turku. Kohëzgjatja e kontratës së nënshkruar sot do të jetë për një periudhë 5-vjeçare.

Në pritje statusi i artistit
Çdo vit përfaqësuesit e Sindikatës së Artistëve premtojnë shumë shpejt se do të miratohet statusi i artistit. E megjithatë ende nuk është bërë asgjë. Kryetari i SPASH-it, Reshat Ibrahimi, u shpreh dje se kjo është një çështje politike, pasi duhet vullnet që statusi i artistit të kalojë për miratim në të gjitha ministritë e linjës. Ndërsa zv/ministri i TKRS-së, Abaz Hado, u shpreh se nuk bëhet fjalë për çështje politike, por procedurash, që do marrin shpejt zgjidhje. Statusi i artistit njeh miratimin e vështirësisë së punës, garantimin e marrëdhënieve të punës, të dhënies së pensionit të invaliditetit, pensionit të parakohshëm, pension pas vdekjes së artistit, shpërblim kur dëmtohet aksidentalisht etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›