E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimet, kryekomunari: Politika të mos përfitojë

Kryekomunari Tauland Grëmi

Kryekomunari i Zharrëzës, Tauland Grëmi, i bën thirrje politikës të distancohet nga ngjarjet e përsëritshme në zonën e tij. Sipas tij, tërmetet e Zharrëzës nuk mund të përdoren politikisht prej partive për të fituar votat e banorëve.

Z.Grëmi, prej disa kohësh zona juaj ka pësuar disa tronditje në formë tërmetesh. Banorët mendojnë se kjo është pasojë e kompanisë Bankers. Si është komenti juaj?
Edhe unë po aq sa banorët dua një përgjigje. Jam i gatshëm që të veproj me çdo mjet që më lejon ligji që të siguroj një rehabilitim të zonës dhe banorët të qetësohen. Kam kërkuar që të mbërrijnë ekspertë dhe tashmë ka nisur puna për verifikimin në terren të të gjithë situatës. Këtë mund ta them kur grupi verifikues të dalë me një përgjigje.
Ka pasur acarim të situatës, kompania humbi dhjetëra tonë naftë, disa banorë u arrestuan e të tjerë janë në procedim…
Jam në anën e banorëve. Ata kanë të drejtë, kanë pasur dëme materiale në banesa, por janë përfshirë edhe nga paniku disa herë. Jam në pritje të fjalës së ekspertëve, por meqë më jepet rasti, dua të bëj një thirrje për politikën, e cila po nëpërkëmb problemin e banorëve. Në ditën e parë të protestës, në fshat erdhi deputeti i PS-së, Armando Subashi. Pas dy ditësh erdhën përfaqësues të AK-së. Politika sduhet të ngatërrohet me këtë çështje. Unë jam i hapur, nëse dikush nga këta ka një formulë apo një argument që na çon në zbardhjen e këtyre shpërthimeve, atëherë ta thotë publikisht. Por është e pafalshme që për të lypur dy vota të shfrytëzojnë hallet e tyre në këtë formë.
Ju mendoni se banorët protestuan të nxitur nga politika?

Protesta nga banorët e Zharrëzës

Jo, nuk e mendoj këtë. Çdo banor ka të drejtë të protestojë për të kërkuar të drejtën e tij. Por kur gjërat instrumentalizohen, edhe situata përkeqësohet. Ndihem keq përballë situatave që nuk prodhojnë asnjë zgjidhje. Hienat e politikës të qëndrojnë larg. Banorët janë të emancipuar dhe dinë të kuptojnë çdo perversitet që del nga pasioni i politikës. Ajo që më habit, është AK-ja. Përfaqësuesit e saj nuk njohin as hartën e fshatit dhe flasin sikur të njohin çdo problem të zonës.
Shpërthimet kanë nisur që në 17 korrik 2008. Ju thoni prisni fjalën e ekspertëve. Sa zgjat kjo procedurë dhe çfarë po bën komuna për këtë situatë?
Jam angazhuar të gjej një zgjidhje, por sa herë që ne e kërkojmë këtë, ndodh një tërmet i ri. Kjo na e ka bërë situatën edhe më të pakontrolluar dhe kërkojmë që kompania Bankers Petroleum të bëhet e përgjegjshme që tu përmbahet kritereve që u jep ligji gjithë operatorëve të shfrytëzimit të nëntokës. Dje nisi verifikimi në terren për një arsye të shpërthimeve.
Po nëse arsyeja e ekspertëve do të jetë kompania e huaj?
Atëherë do të veprojmë sipas ligjit. Banorët janë të parët që do ta kërkojnë këtë.

EKSPERTET
Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet në lidhje me tërmetet e njëpasnjëshme në zonën e Zharrëzës. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se ekspertë të gjeofizikës kanë mbërritur nga Tirana, ndërsa ekspertë të tjerë të naftës gjithashtu po punojnë në terren për të përcaktuar shkaqet e këtij fenomeni që ka irrituar banorët.

FIER/ MAJLINDA RAMA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›