E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet kryekontrollori i Rinasit dhe një oficer

Drejtori i Policisë, Ahmet Prençi, firmos largimin e dy oficerëve pas arrestimit në Turqi të Altin Murrës


Motivacioni i shkarkimit të dy efektivëve të policisë së aeroportit është shkelja e disiplinës në punë

TIRANË -Dy javë pas arrestimit të bujshëm të oficerit të Policisë Kufitare Altin Murra me 200 kg drogë në Turqi, kreu i Policisë, Ahmet Prençi, ka firmosur edhe shkarkimin e dy punonjësve të Komisariatit të Policisë së Rinasit, lidhur me këtë ngjarje. Kështu është shkarkuar dje nga detyra shefi i kufirit në këtë komisariat, Geron Seitllari, si dhe shefi i zyrës së kontrollit Granit Halili.


Dy efektivat janë shkarkuar për shkelje të rregullave të disiplinës dhe pas zgjerimit të rrethit të hetimeve, pas arrestimit të oficerit Altin Murra me 200 kg drogë në shtetin turk. Sipas burimeve nga Policia, pas propozimeve të bëra nga drejtoria Rajonale e Kufirit për shkarkimin e dy punonjësve të Komisariatit të Rinasit, ka ardhur dhe shkarkimi i tyre me firmën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë , ku si motiv kryesor ka qenë shkelje e rregullave të disiplinës. Këto janë shkarkimet e para, që vijnë dy javë pas arrestimit të oficerit të 'Rinasit".


Altin Murra, oficeri i Policisë Kufitare të Tiranës pranë aeroportit të Rinasit, u kap me 200 kg heroinë në Stamboll të Turqisë, në një kamion. Ish- oficeri Murra, 27 vjeç, me gradën policore nënkomisar, u arrestua nga Policia e Stambollit me një ngarkesë prej 200 kg drogë të pastër të llojit heroinë.


Sapo u mësua lajmi për arrestimin e 27- vjeçari Murra nga autoritetet e Policisë së Stambollit, u vendos shkarkimi i menjëhershëm i tij nga funksioni që mbante. Përveç arrestimit të oficerit të Policisë Shqiptare, u arrestuan edhe dy persona të tjerë, Burham Markeçi, 39 vjeç, nga Dibra dhe Nalton Jaçaj, 35 vjeç, nga Tirana.


Dy të arrestuarit e tjerë sipas burimeve të policisë, ishin shoferi i kamionit trajler ku u sekuestrua droga dhe tjetri tregtar që kishte mbërritur në Turqi, për të blerë mallra të ndryshme. Të tre janë arrestuar nga policia e Stambollit me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në bashkëpunim.


Sipas të dhënave të policisë gjatë arrestimit, droga vinte nga Turqia dhe kishte destinacion Shqipërinë ku ajo besohet se do të përgatitej për t'u transportuar në drejtim të vendeve perëndimore. Pak ditë para arrestimit, kontrollori Altin Murra, kishte marrë leje me motivin e një vizite jashtë Shqipërisë.


Largimi i përkohshëm nga vendi i punës është shfrytëzyuar nga 27- vjeçari, për të kryer në bashkëpunim transportin e rreth 200 kg drogë nga Turqia në drejtim të Shqipërisë, por plani i tij nuk shkoi deri në fund.


Reagimi i Policisë së Shtetit ka qenë i menjëhershëm pas arrestimit të Murrës, me shkarkimin dhe heqjen e gradës që mbante. Murra, kishte mbaruar Akademinë e Policisë në Ankara në vitin 2006, dhe në vitin 2007 është emëruar në Rinas, si specialist pranë Laboratorit të komisariatit të Aeroportit, e ndërsa më pas ka kaluar në rolin e kontrollorit dhe gjatë arrestimit të tij në javën e dytë të qershorit ai mbante gradën nënkomisar.


Arrestimi i Murrës, bashkë me dy persona të tjerë në Stamboll


Altin Murra, 25 vjeç, u arrestua nga policia turke në qytetin e Stambollit tri javë më parë, ndërsa udhëtonte në një kamion bashkë me një tregtar dhe shoferin e kamionit, i cili transportonte mallra të ndryshme kryesisht konfeksione nga Turqia në drejtim të Shqipërisë.


Policia e Stambollit, ndaloi kamionin në një prej lagjeve aziatike të qytetit për një kontroll rutinë. Në kohën që policia kontrollonte përmes konfeksioneve ajo zbuloi edhe sasinë prej rreth 200 kg heroinë të pastër e cila ishte e destinuar të udhëtonte nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.


Menjëherë pas zbulimit të heroinës, policia arrestoi tre personat, shoferin e mjetit, shoqëruesin mallit njëkohësisht...................................... tregtar. Bashkë me ta, policia arrestoi edhe oficerin e policisë së komisariatit të aeroportit të Rinasit, Altin Murrën, kontrollor i kufirit në këtë komisariat.


Të tre personat e arrestuar nga policia turke me sasinë kolosale prej rreth 200 kg heroinë, tashmë akuzohen nga organet turke të drejtësisë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës në bashkëpunim.

200 kg drogë transportonte kamioni tip trajler me të cilin udhëtonte Altin Murra dhe dy persona, të cilët u arrestuan nga policia e Stambollit qytetit më të madh turk, rreth tri javë të shkuara.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›