E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënon FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka përsëritur Qeverisë se mënyra se si e kanë bërë buxhetin mund ta çojë vendin në kolaps financiar. Madje, ka kërcënuar edhe me prishjen e marrëveshjes. Nga Express më 20 prill 2011 në ora 09:30

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërcënuar sërish Qeverinë e Kosovës rreth buxhetit që ka miratuar javë më parë.

Burime të Radio Kosovës kanë bërë të ditur se zyrtarët e FMN`së i kanë përsëritur Qeverisë së vendit vërejtjen se mënyra se si e kanë bërë buxhetin mund ta çojë vendin në kolaps financiar.

Zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar vazhdojnë të mos pajtohen me skemën buxhetore, tashmë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Ata nuk po rreshtin t’ua përsërisin zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës se nuk do të mund të kenë kurrë pajtimin e Fondit Monetar me këtë skemë buxhetore.

Sipas burimeve brenda FMN-së, të vetmin gjë që është pajtuar të bëjë Qeveria deri me tani është ulja e nivelit të rritjes së pagave prej 50 për qind, që kishte premtuar në fillim. Përveç vendimit për uljen e pagave për 10 për qind, Qeveria deri më tani nuk ka bërë kompromise të tjera.

Ndërkohë që FMN-ja vazhdon të jetë besnike e sugjerimit të bërë paraprakisht se marrëveshje do të ketë vetëm nëse Qeveria i përmbahet një buxheti kredibël dhe me rritje pagash deri në 20 për qind.

Zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë nuk kanë pranuar të flasin rreth kësaj çështjeje. Përgjigje rreth kësaj nuk ka qenë e mundur të merret as nga Zyra për Media e Ministrisë së Financave dhe as nga ministri Bedri Hamza dhe asistentja e tij që ndodhen në SHBA.

Edhe përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë, Hose Suleman, pati thënë javë me parë se Qeveria e Kosovës mund t’i rrisë pagat vetëm nëse ka prodhim dhe rritje ekonomike. Dhe atë më së shumti deri në 15 për qind.

“Nëse lëvizni drejt integrimit evropian, duhet shumë shpejt të nisni të mendoni se si të ardhurat e brendshme mund t’i kompensojnë këto shpenzime. Ky është diskutimi më i rëndësishëm i politikave që duhet ta keni tani”, shtoi ai.

Në anën tjetër, sa i përket rrezikut nga deficiti buxhetor që mund të hyjë vendi këtë vit, Suleman pati tërhequr vërejtjen se Kosova duhet të ketë kujdes që deficiti i saj buxhetor të mos jetë më i lartë se 5 për qind e brutoprodhimit vendor.

Nëse nuk respektohen këto rekomandime, atëherë Kosova rrezikon seriozisht ta prishë marrëveshjen që e ka me këtë institucion. Aktualisht, FMN-ja e ka ngrirë këstin e dytë të kredisë së saj prej 108 milionë eurosh. Afati i fundit për këtë transaksion ka qenë 31 marsi, por paratë nuk janë parë në konton e Qeverisë.

Edhe njohësit e ekonomisë shprehen skeptikë se do të ketë ripërtëritje të marrëveshjes. Sipas tyre, duhet të pritet deri ka mesi i vitit, kur do të mbahet mbledhja e bordit të këtij institucioni.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›