E Shtunë, 31 Tetor 2026

Florini nuk shkarkohet

Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Kryesia e Kuvendit nuk vendos për shkarkimin e kryetarëve të komisioneve. Bekim Haxhiu, i njohur si Kamishi, ka thënë se Kryesia e Kuvendit nuk mund të mbyllë sytë para një “shkelësi të ligjit”, siç e ka quajtur ai Florin Krasniqin. Nga Nebih Maxhuni më 20 prill 2011 në ora 08:48

E udhëhequr nga Jakup Krasniqi, Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka injoruar kërkesën e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, për shkarkimin e Florin Krasniqit nga posti i shefit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Komisionit për AKI-në. Krasniqi ka thënë pas takimit se Kryesia nuk është organ që shqyrton kërkesat për ndërrim të udhëheqësve të komisioneve kuvendore.

Haxhiu ka pasur përplasje të fortë me Krasniqin, javën e kaluar, në Komision, duke kërkuar largimin e tij për “thyerjen e konfidencialitetit”.

Ndërkohë, Kryesia të martën gjithashtu e miratoi kërkesën për mbajtjen e një seance të premten, ku do të miratohet krijimi i Komisionit për ndryshime kushtetuese dhe Ligjin zgjedhor.

E, Haxhiu, i njohur si Komandant Kamishi, ka thënë për Express se ai e ka kryer punën e vet.

“Unë e kam bërë kërkesën në mënyre zyrtare, bazuar në Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës. I takon Kryesisë që të vendosë, unë si deputet e kam kryer punën time, i jam drejtuar Kryesisë dhe ata nuk kanë vendosur. Si mund t`i mbyllë Kryesia kur bëhet fjalë për një shkelës të ligjit. E them se ai e ka thyer ligjin dhe se nuk është i denjë për atë pozitë”, ka thënë Haxhiu për Express.

Gjithçka kishte filluar kur Kamishi dhe Florin Krasniqi kishin pasur një debat të ashpër në Kuvend lidhur me agjencinë inteligjente të Kosovës.

Haxhiu insiston se Florin Krasniqi nga Vetëvendosja ka shkelur Ligjin duke thyer fshehtësinë.

Krasniqi ka thënë ditë më parë se deputeti i PDK`së në Kuvendin e Kosovës, Bekim Haxhiu është “mësuar që të punojë në të zezën”, duke premtuar se nuk do të lejojë që Komisioni për AKI`në të jetë apolitik.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›