E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënon Nikoliç: Ose unë, ose Jahjaga në festën e Kroacisë

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikolic kërcënon se nëse Kroacia fton Kosovën në festën që do të organizoi me rastin e hyrjes në Bashkimin Evropian ai do të bojkotojë pjesëmarrjen.

Kroacia nga data 1 korrik e këtij viti do bëhet shteti i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian, ndërkohë që kreu i shteti kroat Ivo Josipovic ka ftuar krerët e shteteve fqinje në një festë që do të organizohet me këtë rast.

Por, sërish është Serbia ajo që u vë kushte fqinjëve duke thënë se nuk marrin pjesë po qe se ftohet edhe presidentja e Kosovës.
Presidenti serb ia ka bërë të qartë homologut kroat se pjesëmarrja e tij varet tërësisht nga mënyra se si do ftohet presidentja e Kosovës.

“Vizita ime në Kroaci mund të evitohet vetëm nëse Kroacia vendos ta ofendojë Serbinë duke e ftuar Kosovën si shtet të pavarur”, ka deklaruar Nikoliç, transmeton Koha.net.

Mbetet të shihet qëndrimi nëse Kroacia do t’ia plotësojë dëshirën Serbisë, apo do të veprojë ashtu siç bëri ditë më parë kur e bojktoi samitin e Ohrit për shkak të mos ftesës së presidentes Jahjaga.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›