E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënon me largim

Trajneri i Ferizajt, Naim Sojeva kërcënon me largim nëse klubi nuk riorganizohet brenda një kohe të shkurtër. Ai thotë se gjendja në ekipin ferizajas është e rëndë. Nga Valon Konushevci më 10 janar 2011 në ora 12:12

Skuadra e Ferizajt, e cila rrezikon me largim nga Superliga, pasi gjendet në vendin e fundit në tabelë, shumë lehtë mund të mbetet pa trajnerin e saj, Naim Sojeva.

Skuadra bardhekaltër gjendet në një krizë jashtëzakonisht të madhe financiare. Kjo krizë duket se më së shumti po e mundon trajnerin e këtij ekipi, Naim Sojeva, i cili thotë se në kushte të tilla e ka të pamundur ta bëjë punën e vet si duhet.

Ai paralajmëroi se do të japë dorëheqje nga pozita e tij, nëse zyrtarët e Ferizajt nuk ndërmarrin masa për ta riorganizuar klubin.

“Situata është e rëndë. Drejtuesit e Ferizajt po bëjnë përpjekje për të gjetur ndonjë donator, bashkë me Komunën, me qëllim që Ferizaj të riorganizohet. Ferizaj ka nevojë për një riorganizim të madh dhe nëse nuk e bën sa më shpejt një gjë të tillë, unë nuk do të mund të vazhdoj, sepse Ferizaj është klub publik dhe nuk mund ta mbaj përgjegjësinë”, deklaroi Sojeva për Express.

Ai tha se ka planifikuar që më 15 janar t’i nisë përgatitjet me ekip, por kjo vështirë se do të ndodhë, sepse kushtet janë shumë të rënda. “S’ka kurrfarë kushtesh, na mungojnë edhe veshjet sportive, si trenerka, etj”, u shpreh Sojeva.

Ndërsa drejtori i klubit ferizajas, Nadir Haxhimusa thotë se varet nga Komuna e Ferizajt se a do të mund të riorganizohet ky klub, apo jo. “Të martën do të kuptohet se çfarë do të ndodhë me klubin, pas një takimi që kemi me zyrtarët komunalë”, tha Haxhimusa për Express.

Ferizaj gjendet në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit, me vetëm 13 pikë të mbledhura.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›