Portimonense kërkon Sadikun

Skuadra nga elita e futbollit portugez, Portimonense, ka shprehur interesim për Berat Sadikun. Sulmuesi shqiptar i është propozuar klubit portugez, nga ish-sulmuesi i tyre, Luciano Martins.
Mediat portugeze kanë shkruar se Martins e njeh mirë reprezentuesin finlandez pasi ka punuar me të te klubi finlandez, FC Lahti, ku aktualisht është trajner i të rinjve.
Ndërsa sipas medieve në Portugali, reprezentuesi finlandez është ideal për skuadrën Portimonense, e cila ka shumë nevojë për një sulmues.
Në anën tjetër, edhe ish-sulmuesi i klubit gjerman, Armenia Bielefeldi e ka konfirmuar se klubi portugez ka shprehur interesimin që t’i sigurojë shërbimet e tij.
“Skuadra portugeze, Portimonense ka shprehur interesim për mua. Menaxheri im ka kontaktuar me drejtuesit e këtij klubi, por deri më tani ende nuk ka diçka konkrete”, ka thënë Sadik për Express.
Pas 15 xhirove të kaluara në elitën e futbollit portugez (Liga Sagres), Portimonense nuk gjendet mirë në tabelën e klasifikimit pasi zë vendin e parafundit me vetëm 9 pikë të tubuara.
Mirëpo klubi portugez nuk është i vetmi që ka shprehur interesim ta angazhojë ish-anëtarin e klubit finlandez, KuPS. 24-vjeçarin janë duke e kërkuar dhe klube finlandeze, suedeze dhe holandeze.
“Ka interesim edhe nga disa klube të Finlandës, Suedisë dhe Holandës. Me dëshirë do të luaja në Holandë, pasi gjithmonë kam pasur dëshirë të luaj në këtë vend, por do ta shohim se çfarë do të ndodhë këto ditë”, theksoi ai.
Sulmuesi shtatlartë ka bërë të ditur se nga klubet finlandeze, kampioni aktual HJK Helsinki dhe Haka janë të gatshme ta transferojnë qysh tash në radhët e tyre.
Para disa javëve, Berat Sadik dhe bashkëkombësi i tij, Drilon Shala janë provuar te skuadra nga liga e dytë holandeze, Go Ahead Eagles. Sadik tregon se gjatë provave kanë lënë përshtypje të mira te klubi nga liga e dytë holandeze.
“Jari Litmanen më ka treguar se Marc Overmarsit i kam pëlqyer shumë gjatë provave. Por unë nuk jam shumë i interesuar që të luaj në ligën e dytë holandeze”, ka përfunduar shkupjani me pasaportë finlandeze.