Keri: Do të angazhohem për Ballkanin

Senatori amerikan Xhon Keri dëshmoi para kolegëve të tij në Kongres, në kuadër të procesit të konfirmimit në pozitën e diplomatit më të lartë të Amerikës.
Senatori amerikan Xhon Keri, i nominuar nga presidenti Obama për sekretar të ri amerikan mbrëmë ka dëshmuar para Komitetit për Politikë të Jashtme në Senatin Amerikan, duke folur edhe mbi zhvillimet dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor.
I pyetur mbi Ballkanin Perëndimor nga senatorja Xhin Shahin, senatori Keri theksoi se në Ballkan janë bërë përparime të mëdha, megjithatë ai ka nënvizuar proceset dhe zhvillimet brenda shteteve të këtij rajonit.
Sipas tij, dialogu midis Serbisë dhe Kosovës nuk ka përfunduar dhe se Maqedonia gjendet akoma në pozicion të pandryshueshëm rreth kontestit të emrit. Ai bëri thirrje që SHBA-të të vazhdojnë të udhëheqin proceset për anëtarësimin e Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).
Senatori Keri ka shtuar se do të punojë në këtë drejtim duke pasur vëmendjen në proceset e integrimit të Ballkanit në familjen Evropiane.
I nominuari për sekretar amerikan të shtetit ka folur me theks të veçantë për politikat e jashtme parësore të SHBA-ve, duke përmendur Iranin dhe armët nukleare, çështjen e Sirisë dhe krizat e tjera botërore.
Senator Keri thotë se është koha për një rol të ri të Shteteve të Bashkuara në botë, ku të rinjtë “po rebelojnë kundër lënies mënjanë dhe poshtërimit”./Indeksonline/