Kërkesa e BE për reflektim, Rama-Berisha djegin 11 ditë

Armëpushimi i diktuar në darkën e Strasburgut, përveç nxjerrjes së opozitës socialiste nga rruga, duket se ende nuk ka sjellë gjë tjetër. Teksa janë konsumuar 11 ditë nga afati 15-ditor i vendosur për negociatat mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, diskutimi për zgjidhjen e krizës politike ka bërë vetëm një hap përpara. Ai ka siguruar një seancë “dëgjimore” të të dyja palëve me ekipin e Parlamentit Europian që mbërriti para disa ditësh në Tiranë, me qëllim studimin e mundësive për kompromis. Përtej kësaj panorame, duket se kriza shqiptare po konservohet edhe më shumë në ritualin e përditshëm të deklaratave për shtyp, që shërbejnë si mjet komunikimi mes dy drejtuesve kryesorë në vend, Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut socialist Edi Rama. Nga leximi i situatës politike të krijuar pas takimit të Strasburgut u la të kuptohej një tërheqje e detyruar të palëve nga pozicionet fillestare që nisën me hyrjen me kohë të plotë në Parlament të opozitës, pjesëmarrjen në komisionet e përhershme të tij dhe braktisjen e tubimeve të rrugës. Ky ripërkufizim i praktikave politike nga ana e opozitës është prezantuar prej saj si një element i tolerimit në emër të arritjes së kompromisit që ka si parakusht akte të vullnetit të mirë. Ai hyri në veprim menjëherë pasi Edi Rama pati mundësinë që të bënte të njohur para përfaqësuesve të PE-së kërkesat e veta politike që deri më tani janë refuzuar me argumente juridike. Brenda nevojës për dalje nga kjo situatë, nuk munguan edhe disa tërheqje relative të PS-së nga kërkesa kategorike për hapjen e kutive të fletëve të votimit, që tri ditët e fundit është ricikluar me të njëjtën forcë. Me braktisjen e rrugës dhe bojkotit parlamentar, opozita ka dhënë mesazhe për rikthimin e normalitetit që është aktualizuar nën imponimin e faktorit ndërkombëtar, por që gjithsesi me gradualitetin e qëndrimeve të përditshme po mban të gjallë perspektivën e rikthimit të protestave. Me këtë sjellje politike korrekte që alternohet me deklaratat për gatishmëri të lëvizjes së rrugës, opozita merr pjesë në negociata, që nëse i referohesh gjuhës së Kryeministrit paralajmërojnë dështimin. Përkundrejt qasjes opozitare, e cila i sheh lëshimet e veta jo në rishikimin e kërkesave, por në ndryshimin e kursit politik, shumica në pushtet nuk ka lëvizur nga qëndrimi i vet i mëparshëm. I fortifikuar mirë pas argumenteve ligjore, pozicionimi i Kryeministrit, edhe pse alibik, në finale ka arritur të fitojë terren. Edhe pas takimit të Strasburgut, e gjithë puna politike në kërkim të kompromisit është përqendruar në gjetjen e hapësirave për ndërhyrje ligjore, e cila deri më tani nga ana e opozitës është cilësuar si element i dorës së dytë dhe i nënrenditur ndaj parimit të transparencës. Konkretisht, Kryeministri Sali Berisha, prej 11 ditësh vijon të përsërisë qëndrimet e mëparshme, sipas të cilave hetimi i zgjedhjeve është i garantuar me komisionin e miratuar në Parlament, teksa hapja e kutive të fletëve të votimit do të duhet të marrë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, pa përjashtuar marrjen e vlerësimit të Komisionit të Venecias. Ai ka hedhur poshtë edhe propozimet e PS-së për ndryshim të nenit 178 të Kodit Zgjedhor, apo inicimin e një nisme ligjore që do të rregullonte hetimin e plotë parlamentar. Me këto argumente, shumica është ulur në tryezën e bisedimeve përballë një opozite që ka 10 muaj që i kundërshton dhe që pret të marrë një përgjigje pozitive në vetëm pak ditë të mbetura. Brenda këtij konteksti, ekipi i Parlamentit Europian që drejtohet nga shefja e kabinetit të Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, do të duhet të japë një draft, ku shpresohet arritja e kompromisit. Në të kundërt opozita ka paralajmëruar skenarin e protestave dhe penalizmin e Shqipërisë, si për liberalizimin e vizave ashtu edhe për procesin e integrimit.
#