E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëvendëson Melin?

Lidhja Demokratike e Kosovës duket se e ka gjetur zëvendësimin për Melihate Tërmkollin në postin e Kryetares së Forumit të Gruas.

Ajo është Anita Morina, aktualisht deputete e LDK’së në Parlamentin e Kosovës dhe një nga udhëheqëset e dikurshme të Forumit Rinor.

Burime të Express, brenda Kryesisë së LDK’së, sqarojnë se deputeten Morina pritet ta propozojnë për Kryetare të Grave, pasi të përfundojnë zgjedhjet nëpër degë.

Megjithëkëtë, në një prononcim për Express, Morina ka thënë se nuk ka ndonjë informacion se mund të nominohet për Kryetare të Grave.
Natyrisht, ajo e lë të hapur mundësinë që të udhëheqë gratë e LDK’së.

“Nuk them se do ta pranoj atë post, megjithatë do ta diskutojmë me Kryesinë e LDK’së nëse ata më propozojnë”, ka thënë Morina përmes telefonit, të shtunën.

“Edhe pse nuk e kam diskutuar më herët me Kryesinë e LDK’së, por është një opsion që do ta diskutoj. Kam qenë e gatshme gjithherë të kontribuoj për forcimin e strukturave të LDK’së dhe jam e gatshme edhe në të ardhmen”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, anëtari i Kryesisë së LDK’së, Naser Osmani, sqaron se procesi zgjedhor për Kryetare të Forumit të Gruas do të përfundojë më 15 korrik, përderisa shton se deputetja Morina është emër i respektuar në LDK që mund t’i udhëheqë gratë e partisë.

“Nuk e di kush mund të jetë Kryetare e Forumit të Gruas, por emri i deputetes Morina për mua është i pranueshëm”, ka thënë Osmani për Express, të shtunën.

Edhe deputeti tjetër i LDK’së, Armend Zemaj, thotë se nëse Anita Morina pranon të jetë Kryetare e Forumit të Gruas, atëherë e ka përkrahjen e shumicës së zyrtarëve të LDK’së.

“Anita Morina është opsioni më serioz për Kryetare të Grave. Besoj se do ta ketë mbështetjen e shumicës së LDK’së”, thotë Zemaj.
Megjithëkëtë, përveç zgjedhjeve për Forumin e Gruas, LDK ka thirrur edhe mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
“Do të jenë dy pika të rendit të ditës: raporti për zgjedhjet e kaluara dhe agjenda zgjedhore partiake”, ka thënë Osmani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›