E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: PS-PD po vështirësojnë zgjidhjen e krizës politikës

“Mungesa e zgjidhjes sjell konflikt me BE-në. Ne e gjejmë zgjidhjen kur na vjen uji te gryka

Kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit mund të çohet në Komisionin e Venecias nga qeveria, Presidenti ose Kryetarja e Kuvendit. Ky është sugjerimi që jep bashkëhartuesi i Kushtetutës, republikani Sabri Godo në një intervistë për “Shqip”. Sipas tij, në procesin e depozitimit të kërkesës në këtë organ të mirënjohur këshillimor nuk mund të ngrihen pengesa. Nga ana tjetër, Godo flet për situatën politike në vend dhe pasojat që mund të ketë procesi i integrimit në rast se palët nuk gjejnë shpejt një zgjidhje.

Zoti Godo, ditët e fundit palët politike po flasin për ekzistencën ose jo të ultimatumeve nga ana e institucioneve europiane për zgjidhjen e krizës në vend. Si i shikoni ju këto qëndrime?

Këtu po merremi shumë me faktin ka apo nuk ka ultimatum. Kjo e marrë në termin e saj të vërtetë nuk mund të interpretohet ashtu. Edhe sikur ne të ishim vërtet të anëtarësuar në Komunitetin Europian, një gjuhë e tillë nëpërmjet partnerëve nuk përdoret. Por ajo që mendoj unë se është thënë, lidhet me faktin se brenda dy javëve duhet të zgjidhet kjo krizë. Por kjo nuk mund të merret në kuptimin e termit ushtarak, se në qoftë se brenda dy javëve nuk arrihet një zgjidhje ne do të shpallim luftë. Me atë çfarë kam kuptuar nga deklaratat që janë bërë, lidhet me faktin se palëve u kërkohet të gjendet një zgjidhje e shpejtë. është theksuar natyrisht edhe ky afati brenda dy javëve, por nuk do të thotë që në mbarimin e 15 ditëve do të merret ndonjë vendim. Gjithsesi, në qoftë se nëse nuk arrihet në një zgjidhje ne do të hyjmë në një lloj konflikti me komunitetin europian, në kuptimin që ata mund të kalojnë në ngrirje të procesit të integrimit tonë, për sa kohë do të vazhdojmë të jemi në një situatë të paqartë parlamentare dhe institucionale. Por nëse interpretohet vërtet ashtu, se Shqipërisë i është dhënë një ultimatum, atëherë ne mund të themi që shikoni se jemi një vend sovran dhe kurrkush nuk mund të na vendosë nga jashtë një kusht për zgjidhjen e problemeve tona. Ndërsa këtu kemi të bëjmë me një rast special, sepse komuniteti europian trajton çështje të integrimit tonë dhe ka disa të drejta, sepse thotë se në rast se ju nuk vini në rregull punët tuaja, atëherë dhe ne do ju trajtojmë ndryshe, do të shfaqim hapur rezervat tona ndaj jush.

Por tashmë ka kaluar një javë nga afati dyjavor i dhënë dhe palët ende nuk kanë një zgjidhje për situatën. Kur mendoni se mund të vijë diçka e tillë?

Për sa na tregon e kaluara ne e gjejmë zgjidhjen kur na vjen uji te gryka. Them se edhe kësaj here po shkojmë drejt kësaj dhe ky është një mundim që po i krijojmë vetes dhe po i mbajnë njerëzit me një lloj ankthi dhe lodhje mendore se çdo të bëhet dhe kur. Për mua nuk më duket e lehtë arritja e një zgjidhje që është e domosdoshme.

Po kështu, mes palëve janë shtuar debatet në lidhje me djegien ose jo të fletëve të votimit të zgjedhjeve të shkuara. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë çështje?

Mendoj se duhet të zbatohet ligji në çdo rast, sepse jemi mësuar tani që për hir të ngjarjeve që na dalin përpara herë pas here të shkelim ligjet dhe të bëjmë ndryshime në Kushtetutë. Kjo nuk mund të ecë kështu në asnjë mënyrë. Në ligj nuk ka ndonjë afat se kur duhet të digjen fletët e votimit, por do të vijë dita që ato të digjen të paktën për të liruar kutitë që duhen për zgjedhjet e ardhshme, por më shumë këto janë çështje të një natyre teknike. Unë kam qenë që në fillim kundër idesë për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimit të votave, sepse bashkohem me ata që thonë se kjo do të krijonte një precedent të atillë që palët mund të qëndronin gjatë gjithë kohës duke numëruar votat. Kështu që në këtë aspekt duhet të ecet me shumë kujdes. Por, nga ana tjetër, është e udhës që në këtë pikë ne të kërkojmë edhe asistencën e huaj në formën e konsultimit. Asgjë e keqe nuk na vjen nëse marrim një mendim nga Komisioni i famshëm i Venecias, i cili është organi që mbikëqyr problemet e demokracisë në komunitetin europian dhe ka mjaft autoritet për të dhënë një vendim, që gjithsesi nuk është ekzekutiv, por gjithnjë është sugjerues. Kështu që ç’të keqe mund të kemi nëse do të marrim edhe mendimin e disa njerëzve të tjerë të mençur dhe kompetentë në këtë lëmë, se si mund ta zgjidhim këtë problem?

Mazhoranca ka theksuar se e vetmja rrugë për shqyrtimin e kësaj çështje në Komisionin e Venecias është që kërkesa të çohet nga Gjykata Kushtetuese, në rast se opozita e depoziton aty kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit?

Jo, kërkesa për në Venecia mund të bëhet edhe me nismën e qeverisë, me atë të Presidentit, mund të bëhet me nismën e Kryetares së Kuvendit. Ky nuk është një institucion që ka rregulla të prera se kush mund të trokasë në derën e tij. Unë them që këto institucione mund t’i drejtohen Komisionit të Venecias për një konsultim. Nuk shoh pse duhet të ngrihet kjo skemë, e cila nuk kapërcehet më. Meqë ndodhemi përpara këtyre vështirësive le të kërkojmë rrugët që na çojnë në një zgjidhje, aq më tepër kur nuk humbasim ndonjë gjë nga prestigji ynë si vend, duke ftuar për konsultim Komisionin e Venecias. çdo vend demokrat mund ta bënte këtë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›