E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kërkesa e PD për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, të premten mblidhet Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, do të kalojë në filtrin e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Deputetët e PD-së kërkojnë heqjen e mandatit të deputetes Xhaçka. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili do të mblidhet me datë 24 qershor 2022 në orën 10.30, do të shqyrtojë mocionin e 1/10 së deputetëve, përfaqësues të grupit parlamentar të PD-së, për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Xhaçka.

Thirrja e mbledhjes së Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, është bërë nga kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla. PD kërkon heqjen e mandatit të Xhaçkës me akuzën se familjarët e ministres kanë marrë statusin e investitorit strategjik, falë lidhjeve të saj me qeverinë.

“Ministres nuk i bën përshtypje që abuzon me pushtetin që i kanë dhënë qytetarët, si dhe habitet sesi opozita ngre zërin. Statusi i investitorit strategjik i është dhënë familjarëve të ministres Xhaçka nga vetë kryeministri Rama dhe kolegët e saj në qeveri, në shkelje të ligjit mbi konfliktin e interesit dhe të vetë ligjit mbi statusin e investitorit strategjik. Kjo është një aferë e pastër korruptive”, kanë qenë akuzat e deputetit të PD-së, Agron Shehaj, ndaj Xhaçkës.

 Në kundërpërgjigje të këtyre akuzave, ministrja deklaroi se gjithçka është mashtrim.

“Ju mëshiroj se nuk jeni opozitari që përfaqësoni interesat e qytetarëve shqiptarë. Ju ka humbur teksti prej kohësh në politikë dhe patjetër kapeni pas kauzave që nuk pinë ujë fare. O janë gënjeshtra, o janë mashtrime. Është fatkeqësi e madhe që opozita të përfaqësohet nga njerëz si ti, nga njerëz që pretendojnë që përfaqësojnë ca interesa, por nuk dinë ta bëjnë. Nuk kuptojnë, nuk kanë nivel”, tha ajo.

Ministrja nënvizoi se familjarët e saj kanë që në vitin 1991 që merren me biznes.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›