E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Komisioni për Reformën Territoriale kërkon shtyrjen e afatit për hartën e re administrative

Komisioni parlamentar për Reformën Territoriale ka kërkuar shtyrjen me afro 2 muaj të punës së këtij komisioni. Anëtarët e komisionit ranë dakord që të kërkojnë më shumë kohë për hartën e re administrative. Kërkesa për shtyrjen e afatit me afro 2 muaj është dakordësuar mes deputetëve të PS dhe PD në komision. Deputetët kërkojnë shtyrjen e afatit të punës së këtij komisioni nga 10 gushti, në 30 shtator.

‘Sot bëmë një punë të mirë përtej debateve. E rëndësishme është që të konkludojmë me dy vendimet. Duke ju falënderuar për pjesëmarrjen aktive, të biem dakord për letrën drejtuar Kuvendit për shtyrjen e afatit dhe letrën drejtuar Byrosë për kërkesat shtesë për ekspertët’, tha Anila Denaj, bashkëkryetare për Reformën Territoriale.

Sipas planit të punës, gjatë muaji qershor dhe korrik, do të bëhen dëgjesa, Projekt-harta e re do të hartohet pasi të kenë përfunduar pushimet. Të dyja palët duket se janë në një linjë sa i takon nevojës për një hartë të re territoriale, por vihet re se ka diferenca tek propozimet konkrete. PS kundërshton rritjen e numrit të bashkive, një kërkesë kjo këmbëngulëse e PD-së.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›