Kërkesa e PD për referendum, jo për ndryshime kushtetuese
Maxhoranca do të ndërmarrë nismën e saj për referendum duke mos e trajtuar heqjen e imunitetit si rishikim të Kushtetutës. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi, gjatë një konference për shtyp, tha dje se selia blu dhe aleatët e saj do të kërkojnë zhvillimin e referendumit për imunitetet sipas nenit 150 të Kushtetutës, që ka të bëjë me çështjet e rëndësisë së veçantë.
Referendumi për heqjen e imunitetit do të thirret dhe zëri i qytetarëve do të dëgjohet dhe respektohet plotësisht. Neni 150 i Kushtetutës së vendit përcakton se: Të drejtën e thirrjes së referendumit në Shqipëri e kanë 50 mijë qytetarë, 1/5 e deputetëve të Parlamentit, Këshilli i Ministrave. Partia Demokratike, ditët që vijnë, në konsultim me Këshillin Konsultativ të Parlamentit dhe me aleatët e saj, do të vendosë se cilën nga rrugët kushtetuese do të përdorë për thirrjen e referendumit popullor për heqjen e imunitetit, tha zëdhënësja e Partisë Demokratike. Maxhoranca u jep fund në këtë mënyrë deklaratave të ditëve të fundit për pamundësinë e zhvillimit të referendumeve për rishikimin e Kushtetutës, bazuar në nenin 177 të saj. Sipas këtij neni, nuk mund të zhvillohet referendum për ndryshime kushtetuese nëse propozimet nuk janë miratuar më parë nga një shumicë e cilësuar në Parlament. Ditët e fundit, përfaqësues të PS e cilësuan deklaratën e Kryeministrit Berisha në seancën parlamentare të 6 gushtit për referendum si një blof të tij. Opozita insistoi që heqja e imunitetit të shoqërohej dhe me një reformë në Drejtësi, që do tu jepte, sipas PS, më shumë pavarësi gjykatave të larta dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas nenit 150 dhe 151 të Kushtetutës, ku bazohet dhe maxhoranca për zhvillimin e referendumit, Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një të pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum. Zëdhënësja e Partisë Demokratike e cilësoi dje absurd qëndrimin e Edi Ramës ndaj referendumit për çështjen e imuniteteve.
Pavarësisht nga fobia e z. Rama nga zëri i qytetarëve shqiptarë, referendumi për heqjen e imunitetit do të thirret dhe zëri i qytetarëve do të dëgjohet dhe respektohet plotësisht. Partia Demokratike thekson se kërcënimi i Partisë Socialiste për thirrje të referendumeve të tjera si kundërpërgjigje e thirrjes nga Partia Demokratike e referendumit për heqjen e imunitetit, është mjerane dhe qesharake, u shpreh zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi.