Zaman, derman, Ballkan, mor aman!
Njatzaman tasaj furie është një këngë qytetare shkodrane që, në versionin tim, e këndon me shumë elegancë Inva Mula shoqëruar nga kuarteti i harqeve Gaudi. Më duhej të prezantoja në radion publike të qytetit tim një cikël të muzikës shqiptare ku kisha përfshirë edhe këtë këngë, dhe sdija çdo të thoshte fjala zaman. Kënga më pëlqente shumë, ndaj nuk doja ta lija jashtë prezantimit. Por nëse e futja, duhej ti përktheja titullin. Më polli bela e madhe për dy ditë. E kisha dëgjuar fjalën zaman, por skish Zot të më kujtonte çqe tamam. Sillja nëpër mend gjithë shprehjet e nonës sime kryqebardhë që e kish gjuhën të mbushur me turqizma, po mazallah se e gjeja kund zamanin në inventarin llafe-none ruajtur me aq dashuri në kujtesë. Shkova të pyes një shok grek nga Kreta që e ka zyrën afër meje, me shpresë se ai, si ballkanas, mund ta dinte. Nikos u mendua, por më tha se nuk e kish dëgjuar këtë fjalë. Më sugjeroi ti shkruaja një mikut tonë të përbashkët turk, Erkanit, që mua më pat dalë nga mendja. U shkruajta në të njëjtën kohë edhe Erkanit që jetonte në qytetin tim, edhe P.L. në Tiranë. Erkanin e pyeta nëse fjala ekzistonte sot në turqisht apo jo, dhe se çkuptim kishte po qe se ekzistonte. I thashë edhe se besoj se ime gjyshe e përdorte, por unë e kisha harruar. Të nesërmen mora përgjigje nga nga P.L. që kam frikë se di çdo histori deri në tre shekuj të shkuar për gjithçka të kënduar e të këndueshme shqiptare. Ky më sqaroi se zaman i thoshin kohës, dhe më tregoi edhe historinë e mrekullueshme të autorit të këngës, që qenkesh Hila i Files nga Shkodra, e që ishte ahengxhi dhe bejtexhi i talentuar, por që pas një grindjeje me nallbanian e lagjes, u arratis në Virpazar të Malit të Zi, sepse, bashkë me mikun e vet, në grindje e sipër vranë dy shoqërues të nallbanit. Arratisja zgjati më fort se pritej, dhe malli për të dashurën që e pat lënë në Shkodër, e bëri Hilën e Files të krijonte këtë këngë për motin e shkuar të furisë së dashurisë së vet, zamanin e asaj furie. Historia e pazakontë e atij zamani më jep një ngasje të fortë që ndonjë ditë ta shkruaj jeten e Hilës, sido që, qartësisht, furia e dashurisë gjatë së cilës unë besoj se edhe njerëzit e rëndomtë mund të bëjnë mrekullira, duhet ti qe fikur Hilës muhaxhir e hallexhi kur shkroi këngën.
Sidoqoftë, sot nuk shkruaj as për Hilën dhe as për zamanin në vetvete, por për një marrëdhënie të veçantë që ne shqiptarët kemi me turqizmat. A. Vehbiu këto muajt e fundit i është kthyer disa herë përdorimit të turqizmave të shqipes, duke theksuar se përdorimi i tyre jo veç nuk i prish punë shqipes, por e pasuron atë. Gomari sigurisht që çalon nga veshë të tjerë. Ai jep edhe një morì shembujsh që dëftejnë se turqizmat shpesh nuk janë thjesht paralele leksikore që përsërisin fjalët tona, por sinonime me vlera të veçanta shprehëse që të ngjashmet joturke nuk i bartin, dhe, në fakt, rrinë kaq mirë në gjuhë pikërisht për këtë arsye. Në fakt, nën çarçafin ksenofob të purizmit anti-turk, që herë-herë merr ngjyrën blu të europianëve safì, herë pamjen shumëngjyrëshe të modernëve të çartur, fshihen pasiguritë e një grupi që di mirë se ka halle, por nga tia nisë e si ta tjerrë problemin, nuk e di. Ndaj, tani u bie mizave ose turqizmave. Pa dyshim, në këtë proces nuk mungojnë bastisjet manipuluese politike të idesë, që, si mospërdorimit ashtu edhe përdorimit të turqizmave, gjejnë rrugë e marifete ti japin ngjyrime patriotike e ti shndërrojnë në makina vota-nxjerrëse. Por ajo që vura re teksa rrekesha të gjeja fjalën time lozonjare zaman që më luante vazhdimisht syrin, është se nuk jemi veç ne që kemi këto pasiguri kulturore lidhur me turqishten, por është një sëmundje e gjithë Ballkaneve, madje edhe e Turqisë, jashtë, por po aq edhe brenda Ballkanit.
Miqtë e mi që pyeta, me përgjigjet që më dhanë për fjalën zaman, dëshmuan se turqizmat shihen padrejtësisht si fjalë nga të cilat duhet të distancohemi, jo veç ndër shqiptarë, por edhe në Greqi është po kjo mesele. Kur pyeta Nikon grek, besoj se sinqerisht më tha që nuk e dinte. Pas disa orësh në korridor takova Marinën, një tjetër greke që jep pragmatikën në Departamentin e Gjuhësisë. I thashë se para pak kisha folur me Nikos-in për fjalën zaman, dhe e pyeta nëse ajo e kish dëgjuar në greqisht dhe a ia dinte kuptimin. Marina në fakt u mor fare pak me kuptimin kohë të fjalës, që tha se përdorej paq në greqisht, dhe u përqëndrua tek çështja se pse Niko paskësh thënë që nuk e dinte fjalën zaman. Pra ajo ishte e bindur se Niko kish thënë që nuk e dinte, dhe as e diskutoi se mundet që vërtet të mos e dinte fjalën. Me sa duket Marina mendonte se Niko kish sëmundjen ballkanase të të distancuarit nga turqishtja për arsye kompleksuale të së shkuarës. E nëse ka një sëmundje të tillë, a nuk duhet të ishte ajo pikërisht greke?! Kur u ktheva në shtëpi pashë se miku im turk, Erkani, më kish shkruar një email për fjalën zaman. Më thoshte tekstualisht kaq: E dashur Eda. Pa dyshim që fjala ekziston sot në turqisht. Zaman do të thotë kohë, siç e di fare mirë edhe ti. Në fillim thashë se mos përgjigja e irrituar e Arkanit ishte thjesht një keqpërdorim prej tij i anglishtes si gjuhë e huaj, që mund të dilte jo tamam ashtu siç donte shkruesi. Por Arkani flet një anglishte shumë të mirë dhe është tip që se kam parë kurrë as të irritohet e as të ironizojë. E rilexova dhe kuptova se Arkani vuan nga e njëjta sëmundje si edhe ne: kompleksi se të tjerët kanë kompleksin e të menduarit se ne kemi kompleksin që të tjerët kanë kompleksin se ne kemi kompleksinPra ai zinxhiri kompleks i kompleksit ballkanas, si edhe turk, që na lidh të gjithëve dhe nga i cili mund të çlirohemi vetëm nëse nuk paragjykojmë më tjetrin si përdorues apo mospërdorues të turqizmave. Marina kujtoi se Nikos-i fshehu njohjen e fjalës zaman që të dukej sa më jo-turk, pra më i civilizuar dhe europian, dhe njëlloj Arkani mendoi se unë e dija fjalën dhe, për arsye të ndryshme (??), po shtiresha sikur nuk e dija. Të them të drejtën, nisa të mendoj se kjo ideja e idesë së idesë ishte shumë ngatërresëtare, ndaj vendosa ta pres këtu muhabetin e të mos e ndjek më tutje. I kam takuar tre miqtë e mi pas atij komunikimi, dhe kemi kaluar për bukuri, duke mos e përmendur hiç atë punën e zamanit. Ndoshta e kemi harruar siç dimë të harrojmë ne ballkanasit.
Mu kujtua kushëriri im i mirë dhe i zgjuar që, një herë, pasi kish lexuar një shkrim timin, më tha se i pëlqente shkrimi, por si pëlqente që përdorja turqizma. Sikur skemi fjalë shqip për to! I thashë se turqizmat në fakt janë fjalë shqip, dhe unë jam krenare për to, dhe slë njeri që të mi heqë nga gjuha e të më varfërojë shprehjen. Pse nuk e kanë problem anglishtfolësit faktin që anglishtja është ndër gjuhët me sasi më të madhe fjalësh të huazuara? Një muhabet të ngjashëm, veç disi më të hershëm, qëlloi që bëra me një shok gjuhëtar, A.M., që ndërton një databazë të shqipes duke vjelë leksik, frazeologji dhe struktura nga shtypi, dhe duke ia nënshtruar këto më pas programeve kompjuterike. Edhe ai më tha se kish vjelë disa nga shkrimet e mia, sepse përdorja turqizma. Shpesh, për natyrën dhe frymën e shkrimeve të mia, turqizmat janë ilaç si gjylaxh (edhe kjo një fjalë pe
