Gjashtë herë 11, apokalips apo mrekulli?
11 bën pjesë matematikisht tek numrat prim, por sipas besëtytnive të ndryshme cilësohet dhe si doza e djallit. Besimtarët që dinë diçka më shumë rreth magjisë së numrave shprehen se pas 10, vërshon fati i keq.
Ka dhe nga ata që e konsiderojnë një simbol rilindjeje, pas 10-s së plotë letrat më në fund përzihen. Sot do të jetë renditja më e çuditshme e datave dhe gjërat do të bëhen akoma më të çuditshme kur të kemi orën 11. 11 min e 11 sek, të datës 11/11/11.
Duket që këto detaje për skeptikët nuk janë aspak bindëse, por pjesa më e madhe e njerëzve nëpër forume të ndryshme mediesh deklarojnë se sot në orën me gjashtë njësha nuk do të donin të ishin në ndonjë vend të trazuar dhe me probleme.
Të gjithë i mbajnë mend datat 02/02/02 apo 03/03/03. Por këtë herë do të kemi një numër të vetëm 11/11/11. Në fakt një përputhje datash do të jetë dhe në vitin 2012 ku do të keni renditjen 12/12/12, dhe sipas supersticiozëve për atë ditë nuk parashikohen aspak gjëra të mira.
Ajo që këshillohet për sot është të mos krijohet asgjë, sepse besimtarë të ndryshëm mendojnë se sot prodhimi apo dhe krijimi i diçkaje do të jetë i pafrytshëm për të ardhmen, pasi nuk do të shumohet.