E Diel, 1 Nëntor 2026

Edukimi për karrierën, skema nga arsimi bazë te doktoratura

SHKRUAN: Jonida Tashi 27-05-2011 11:46

Edukimi për karrierën nuk do të jetë më thjesht një lëndë mësimore për nxënësit e klasës IX në arsimin parauniversitar, por një libër më vete, që do të udhëheqë çdo të ri për të marrë vendimin më të mirë për arsimin e tij, duke filluar që nga arsimi i detyruar e deri te niveli më i lartë i studimeve pasuniversitare që është doktoratura. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit ka publikuar së fundi dy libra Edukimi për karrierën, për shkollat 9-vjeçare, një për mësuesit dhe një për nxënësit. Në këto dy libra jepet një informacion i hollësishëm për edukimin dhe orientimin për karrierën e nxënësve, në mënyrë që ata të jenë të orientuar për shkollën që do të vendosin të ndjekin, mundësitë që u ofrohen për punë dhe gjithçka tjetër lidhur me arsimin e tyre. Ndërkaq, përpos këshillave për edukimin për karrierën, Ministria e Arsimit ka detajuar në secilin prej librave një skemë të qartë dhe të plotë të sistemit arsimor në Shqipëri që në total zgjat 21 vjet, nëse ndiqet çdo nivel i tij, që janë: arsimi bazë, arsimi i mesëm, universiteti (cikli i parë i studimeve), studimet pasuniversitare (cikli i dytë i studimeve), doktoratura dhe programet studimeve specializuese afatgjata (cikli i tretë i studimeve). Nëpërmjet skemës së MASH, çdo nxënës, maturant, student, i diplomuar mund të informohet se cilën prej rrugëve duhet të zgjedhë për të studiuar, duke marrë në konsideratë edhe kalimin në tregun e punës. Në fakt, çështja e edukimit për karrierën, përveçse është pjesë e kurrikulës shkollore është e përfshirë edhe në politikat kombëtare. Në linjë me politikat e BE-së dhe ato kombëtare, orientimi dhe edukimi për karrierën kontriubojnë në qëllimet e politikave kombëtare në fushën e arsimit, punësimit dhe zhvillimit ekonomik. Orientimi për karrierën lidhet me një sërë aktivitetesh, që janë hartuar të ndihmojnë të rinjtë të zgjedhin rrugët e tyre arsimore dhe të punës si dhe zbatimin e qëllimeve të tyre. Edukimi për karrierën, si pjesë e orientimit për karrierën, është një koncept i ri në Shqipëri. Ndaj qëllimi i librit është t’u ofrojnë mësuesve të karrierës një instrument për mësimdhënie të suksesshme në lëndën e Edukimit për karrierën në klasën IX. Orientimi për karrierën, përfshin një sërë aktivitetesh, nëpërmjet të cilave njerëzit mund të ndihmohen për të marrë vendimet dhe për të bërë ndryshimet që përcaktojnë rrjedhën e zhvillimit të tyre profesional dhe arsimor (për shembull, zhvillimi i karrierës). Por, disa nga aktivitetet e përcaktuara për orientimin për karrierën janë: informimi, synimi i të cilit është që t’u ofrohen nxënësve të dhëna objektive dhe faktike, për të marrë vendime rreth karrierës së tyre; vlerësimi, që përkufizohet si bërja e gjykimit diagnostifikues rreth përshtatshmërisë së nxënësit për një mundësi të caktuar të karrierës (shkolla, profesioni); këshilla, që është kur këshilltari jep sugjerime bazuar në njohuritë dhe përvojën e tij dhe jo të nxënësit; gjetja e vendit të punës është një tjetër aktivitet orientues për karrierën, që i ndihmon nxënësit të hyjnë në një punë ose në ndonjë kurs të veçantë. Por, detajet e librave të Edukimit për karrierën nuk mbarojnë me kaq. Nxënësit që do shpalosin fletët e tyre do të gjejnë mjaft këshilla të vlefshme për të mësuar dhe punësuar, si dhe rrugën që duhet të ndjekin për të kërkuar një vend pune, duke filluar që nga përgatitja e CV-së e deri te sigurimi i punës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›