E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa zyrtare në KQZ, PS: Të përsëriten zgjedhjet në Tiranë

Partia Socialiste zyrtarizon kërkesën e saj për përsëritje të zgjedhjeve në Tiranë. Juristët e selisë rozë kanë depozituar zyrtarisht kërkesën në KQZ ku kërkohet pavlefshmëri për rreth 300 qendra votimi, ose 3/4 e votave të kryeqytetit, një kërkesë e cila çon në përfundimin e përsëritjes së zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë më të madhe në vend.

Ankesa e PS u dorëzua rreth orës 15.00 dhe pritet që të shqyrtohet në mbledhjen e radhës që do të caktohet nga kreu i KQZ-së. PS gjithashtu kërkon edhe rrëzimin e vendimit të datës 25 qershor që shpalli fitues kandidatin e Partisë Demokratike Lulzim Basha me 93 vota më shumë se rival i tij Edi Rama.
 

Në kërkesën ankimore thuhet se sipas tabelave të rezultateve të hartuara nga grupet e numërimit vendor, fillimisht dhe vetë KQZ në procesin e realizuar prej saj, rezulton se ka mospërputhje të rënda në rezultatin e kësaj zone zgjedhore, mospërputhje të cilat nuk janë pasojë e ndonjë gabimi njerëzor, pasi në atë rast do të ishte i korrigjueshëm, por që janë produkt i vetë procesit të votimit e numërimit, mospërputhje që demonstrojnë qartësisht shkeljen e ligjit.
 

Kërkesa përfshin edhe pretendimin e PS për integritetin e kutive të votimit, disa prej të cilave sipas tyre e kishin të cunguar këtë integritet.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›