Berisha-Zhong Shan:Thellim të bashkëpunimit të 2 vendeve
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zëvendësministrin e Tregtisë së Republikës Popullore të Kinës, Zhong Shan.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, bazuar në miqësinë tradicionale midis të dy popujve, si dhe u rikonfirmua vullneti i dy qeverive dhe vendeve, për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin, në veçanti në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare dhe investimeve kineze në Shqipëri, në shërbim të interesit më të mirë reciprok të dy popujve dhe vendeve. Në këtë kontekst, u vlerësua si një bazë e shkëlqyer dhe shprehje e vullnetit politik, marrëveshja e Partneritetit Strategjik që u nënshkrua mes dy kryeministrave, gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Berisha në Kinë.
Pasi vlerësoi këtë vizitë si kontribut të ri në marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, Berisha e falënderoi Zëvendësministrin e Tregtisë së Republikës Popullore të Kinës, Zhong Shan, për ndihmën prej 10 milionë yen që qeveria kineze i ka akorduar Shqipërisë edhe këtë vit, si dhe i shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare në mbështetje të investitorëve kinezë për të sjelle investimet e tyre në Shqipëri, në fusha si; industria e minierave, ndërtimi i hidrocentraleve, turizmi, si dhe infrastruktura të rëndësishme ekonomike në vend.
Duke vlerësuar arritjet dhe sukseset e rëndësishme të qeverisë shqiptare në të gjitha fushat e reformave, gjatë kësaj periudhe, Zëvendësministri kinez Zhong Shan, i shprehu kryeministrit Berisha urimet më të përzemërta për këto suksese dhe e garantoi atë se qeveria kineze është plotësisht e vendosur të nxisë dhe inkurajojë zhvillimin dhe intensifikimin e shkëmbimeve ekonomiko- tregtare mes të dy vendeve, të nxisë importimin e mallrave shqiptare për tregun shqiptar, në dobi të prosperitetit të të dy popujve.
Në veçanti, Zëvendësministri kinez, Zhong Shan, vlerësoi politikat e drejta ekonomike të qeverisë shqiptare, të cilat bënë të mundur që Shqipëria të përballojë krizën globale financiare dhe të shënojë, edhe në kulmin e kësaj krize, rritje pozitive të ekonomisë së saj.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe qëndrimi i të dy vendeve për nevojën e reformimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila do të çojë në fuqizimin e vendeve të vogla në vendimmarrjen e kësaj organizate.