E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesat do të pranohen deri më 15 dhjetor 2009

11/11/2009  Aplikimet kryhen në mënyrë elektronike pranë MASH

Kriteret për kategoritë që përfitojnë

Studentët dhe nxënësit e shkëlqyer do të kenë më shumë hapësira për t’u pranuar në fondin e ekselencës. Specialistë e Ministrisë së Arsimit kanë publikuar gjatë ditës së djeshme afatet dhe procedurat e aplikimit për të gjitha kategoritë. Për këtë vit akademik fondi i ekselencës është 1 milion dollarë dhe ndërkohë është pohuar se do të ketë rritje të mëtejshme në vijim. Lidhur me procedurën e përfitimit zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Albana Mustafaraj, ka deklaruar se “aplikimet do të jenë individuale dhe do të dërgohen me postë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës deri më datën 15 dhjetor 2009”. Më pas komisioni i ekspertëve do të bëjë përzgjedhjen në bazë të fondit për të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret e përfitimit. Mustafaraj bën me dije për të gjithë të interesuarit se do të shtohen kategoritë e studentëve dhe shkencëtarëve të rinj të shkëlqyer, që do të sigurojnë mbështetje financiare nga fondi i ekselencës për vitin akademik 2009-2010. Ky fond do të përdoret nga Ministria e Arsimit jo vetëm për bursa të posaçme për kryerjen e studimeve të doktoratës apo postdoktoratës, por edhe për çmime për studentët fitues në konkurse apo olimpiada ndërkombëtare, si dhe për të mbështetur botime me nivel të lartë shkencor. Konkretisht nga ky fond kanë të drejtë të përfitojnë këto kategori: studentët që kryejnë studimet e doktoraturës jashtë shtetit, shkencëtarët e rinj për studimet e postdoktoratës jashtë Republikës së Shqipërisë, studentët fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare, autorët e botimeve shkencore me nivel të lartë akademik. Për herë të parë këtë vit do të përfitojnë bursa të posaçme studentët që kryejnë studimet “Bachelor” dhe “Master” në një nga 15 universitetet më të mira të botës. Në këtë grup do të përfshihen edhe gjimnazistët e shkëlqyer nga trojet jashtë kufijve të vendit, të cilët fillojnë studimet në universitetet tona. “Informacione të detajuara mbi aplikimin dhe të gjitha procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve jepen në udhëzimin nr. 2 të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, datë 22.1.2009 “Për përcaktimin e kritereve, masës dhe procedurave për përfituesit nga fondi i ekselencës për studentët e shkencëtarët e rinj, të shkëlqyer, të cilin do ta gjeni në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit”, ka pohuar Mustafarj.

Nga ky fond kanë të drejtë të përfitojnë:

- Studentët që kryejnë studimet e doktoraturës jashtë shtetit.

- Shkencëtarët e rinj për studimet e postdoktoratës jashtë vendit.

- Studentët fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare.

- Autorët e botimeve shkencore me nivel të lartë akademik.

- Për herë të parë këtë vit do të përfitojnë bursa të posaçme studentët që kryejnë studimet “Bachelor” dhe “Master” në një nga 15 universitetet më të mira të botës.

- Gjimnazistët e shkëlqyer nga trojet jashtë kufijve të vendit që fillojnë studimet në universitetet tona.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›