Kërkesat e Kancelares
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, posa ka arritur të hënën në Prishtinë, ka paraqitur kushtet e saj për Kosovën dhe Serbinë, si dy vende që pretendojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Gruaja që njihet si më e fuqishmja në botë, u prit me një ceremoni të lartë shtetërore të organizuar nga Kryeministri Thaçi dhe kabineti i tij. Ndërkohë që këtij të fundit ia ka bërë të qartë se korrupsioni në vend duhet luftuar, deri lidershipit të Beogradit i tha se duhet t’i shuajnë strukturat paralele në Veri.
“Në bisedat tona me Serbinë, e kemi bërë të qartë se çka dëshirojmë, pra ka nevojë për gjetje të mundësive për tregti të lirë, gjetje të mundësive për bashkëpunim në aspektin kufitar dhe që jemi të angazhuar që në Kosovë të mos ketë struktura paralele”, tha Merkel, në një konferencë për media të mbajtur në Aeroportin e Prishtinës.
Pas takimit gati njëorësh me Kryeministrin Thaçi, Merkel ka theksuar edhe kërkesat e saj për Kosovën.
“Është shumë i rëndësishëm zhvillimi i Kosovës, në mënyrë që Kosova të bëhet shtet i fuqishëm, demokratik dhe një vend ku luftohet krimi dhe korrupsioni”, tha Merkel.
Ajo i bëri me dije kreut të ekzekutivit se është radha e palës kosovare që të veprojë për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për rajonin.
“Unë mendoj që është arritur hap i madh dhe është radha te pala kosovare që edhe ajo të japë diçka nga vetja në mënyrë që t’i jepet zgjidhje paqësore kësaj çështjeje”, ka thënë ajo.
Merkel njëkohësisht ka shprehur edhe përkushtimin e mëtutjeshëm të Gjermanisë, nëpërmjet trupave ushtarake në kuadër të KFOR’it, që të japë kontribut në zgjidhjen e çështjes së Veriut, e cila, sipas saj, mbetet çështje e ndjeshme.
Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi e ka siguruar Kancelaren gjermane se Kosova do t’i kryejë të gjitha detyrimet që dalin para saj, për të ecur drejt së ardhmes europiane.
“E sigurova Kancelaren Merkel që Kosova do të jetë e përkushtuar në dialogun me fqinjët, me Maqedoninë, Shqipërinë e Malin e Zi, por duam të kemi bashkëpunim të mirë edhe me Serbinë”, ka thënë ai.
Kryeministri Thaçi ndër të tjera ka theksuar nevojën e dialogut si dhe implementimin e marrëveshjeve që dalin nga ai, në mënyrë që të ketë rezultate frytdhënëse nga ai. “Ky dialog merr vlerën e vërtetë vetëm atëherë kur implementohen në tërësi marrëveshjet dhe shpresoj që edhe Serbia do të reflektojë në këtë drejtim”, ka thënë Thaçi.
Kreu i ekzekutivit, ndër të tjera, është zotuar para Shefes së Shtetit gjerman se do të punojë në drejtim të luftimit të korrupsionit, gjë e cila mbetet kusht për Kosovën si vend pretendent në BE.
Thaçi po ashtu ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj trupave ushtarake gjermane në kuadër të KFOR’it.
Kancelarja Merkel, pas takimit me kreun e ekzekutivit, ka vizituar edhe ushtarët gjermanë të KFOR’it, në bazën ushtarake në Film City.
Edhe pse vizita e Merkelit nuk zgjati shumë, ajo konsiderohet si historike për Kosovën. Madje për t’i bërë nderime asaj, në Aeroportin e Prishtinës kishin ardhur edhe disa nxënës nga komuna e Drenasit, të cilëve iu desh të ktheheshin mbrapa. Ata u sistemuan në fillim të Sllatinës, ku e pritën edhe eskortën e Angela Merkelit.
Përderisa nxënësit nga Llapushniku nuk mbanin me vete flamuj e rekuizita të tjera, ata të Sllatinës ishin më të përgatitur.
Pritja e tyre në fund u shpagua, kur në rrugën kryesore të Sllatinës, në hyrje të së cilës u sistemuan nxënësit, u shfaq autokolona që brenda pretendohet ta ketë pasur gruan më të fuqishme në botë, e cila për herë të parë ka vizituar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Ndryshe, vizita e Merkelit në Kosovë ndodhi pas kundërshtimit të shtetit gjerman që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat të BE’së.
Ky refuzimin ishte bërë si shkak i mospërmbushjes së detyrave të Serbisë për heqjen e barrikadave në Veri si dhe shuarjen e strukturave paralele atje.