E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesat për lirime

Komuniteti kosovar i biznesit kërkoi nga ministri Bedri Hamza që të lirohen nga dogana për lëndët e para dhe ambalazhin, të lirohen nga pagesa e TVSH-së për pajisjet kapitale, lirimin në tatim nga pagesa e korporatave për bizneset e reja... Këto ndryshime, sipas tyre, do të sillnin një rritje ekonomike deri në 7 për qind. Nga Ismail Gashi më 06 gusht 2011 në ora 11:01

Ministri i Financave, Bedri Hamza, bashkë me komunitetin e biznesit, analizuan mundësinë e heqjes së një mori tatimesh, kryesisht për bizneset private që janë në kohët e para të zhvillimit të tyre. Hamza bashkë me drejtuesit e Administratës Tatimore të Kosovës, Doganave dhe Odës Ekonomike biseduan për një plan të përbashkët për reformimin e sistemit financiar.

“Kemi diskutuar për lirimet nga dogana për lëndët e para dhe ambalazhin. Kemi diskutuar për lirimet nga pagesa e TVSH-së për pajisjet kapitale, lirimin në tatim nga pagesa të korporatave për të gjitha bizneset e reja në vitet e para të afarizmit të tyre, varësisht nga niveli i investimeve dhe numri i të punësuarve”, tha Hamza.

Ai gjithashtu tregoi se po shqyrtojnë edhe zvogëlimin e kamatave, të cilat i aplikojnë institucionet e Kosovës me rastin e vonesave të pagesave nga tatimpaguesit.

“Lirimi i pagesave për studentë nga TVSH-ja, përshkallëzimi i TVSH-së, lirimi i pajisjeve të teknologjisë informative nga dogana...”, theksoi Hamza.

Ministri foli edhe për reformimin e bordit të pavarur për rishqyrtimin e ankesave.
“Që të arrihet kjo, ne kemi identifikuar se bartës kryesor i këtij zhvillimi të jetë sektori privat, prandaj me qëllim të krijimit të parakushteve për zhvillimin e biznesit vendor, por edhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, ne me komunitetin e bizneseve kemi diskutuar shumë çështje dhe unë besoj se do të kemi një pajtueshmëri që në të ardhmen të bëjmë disa ndryshime”, tha Hamza.

Në anën tjetër, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu e vlerësoi shumë të rëndësishëm takimin me ministrin e Financave dhe komunitetin e biznesit.
Gërxhaliu çmoi lart gatishmërinë e ministrit Hamza për bashkëpunim me komunitetin e biznesit.

“Është një shprese e re që krahas reciprocitetit, i cili ka filluar të zbatohet me Serbinë, politikat zhvillimore të jenë të orientuara në funksion të zhvillimit sidomos të përkrahjes së sektorit privat dhe të sektorit prodhues”, tha ai.
Komuniteti i biznesit ka adresuar probleme të ndryshme në takimin me ministrin e Financave, drejtorin e Doganave dhe drejtorin e ATK-së.

Bizneset kanë kërkuar që të lirohen nga TVSH-ja lënda e parë, të evitohen problemet me furnizim me energji elektrike dhe të evitohen vonesat e pagesave për bizneset që funksionojnë nga puna në investimet publike.
Ministri Bedri Hamza ka porositur bizneset që të mos hezitojnë t’i kërkojnë të drejtat e tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›