E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkrahin veriorët

Shumë serbë që jetojnë në Graçanicë e në pjesë të tjera të Kosovës përkrahin bashkëkombësit e tyre në Veri, me përjashtim të ndonjërit prej tyre. Megjithatë, këta serbë nuk duan të kenë probleme dhe kërkojnë që gjendja në Veri të kthehet si ka qenë para 25 korrikut. E, ka të tillë që nuk mendojnë kështu, por ende kanë frikë nga Beogradi Nga Nexhmije Ahmeti më 06 gusht 2011 në ora 10:32

Klima e “ftoftë” që po mbretëron ditëve të fundit në veri të vendit nuk ndihet shumë në pjesën jugore. Në komunën e Graçanicës, serbët jetojnë jetën e tyre normale. Në komunën që gjendet jo fort larg nga kryeqyteti, nuk vërehet ndonjë situatë e nderë dhe e jashtëzakonshme, ndonëse nuk janë edhe indiferentë ndaj ngjarjeve të fundit. Disa madje edhe shprehen me urrejtje ndaj shqiptarëve, sikurse këta kanë faj për gjithçka. Një grua serbe kur kupton se po flet me shqiptarë, lutet që të ngjallet Millosheviçi. “Veç ai ka ditë me na mbrojtë ne serbëve këtu”, thotë ajo, e cila shfryn në çdo gjë shqiptare duke e bërë hero njeriun që ishte akuzuar për krime lufte dhe gjenocid nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë. Por ka serbë që edhe pse pranojnë dokumentet e shtetit të Kosovës, nuk pajtohen assesi me atë që Policia ndërmori në pikat 1 dhe 31.

Njëri ndër ta, i cili prezantohet si Dragan Zhivojinoviq, thotë se Policia dhe Qeveria e Kosovës kanë bërë gabim që kanë ndërhyrë në pjesën veriore të Kosovës.
“Gabim edhe doli të jetë ndërhyrja. Nëse Qeveria dhe Policia vazhdojnë kështu, atëherë serbët nuk do të mund të jetojnë këtu”, thotë ky serb. Zhivojinoviq konsideron se pjesa veriore e Kosovës është nën sovranitetin e Serbisë. Madje, edhe vendin ku jeton e konsideron pjesë të shtetit serb. “Për mua gjithnjë kështu do të jetë”, thotë ai. Por ka edhe serbë të tjerë që nuk e përkrahin ndërhyrjen e Qeverisë së Kosovës, mirëpo më shumë i brengos aplikimi i masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.
Ljubomir Cvejiq thotë se ka pritur shumë nga bisedimet, por ja që me këto vendimet e fundit, edhe ato u ndalën. Ai ankohet se nga këto vendime tash nuk mund të marrin asgjë nga Serbia. “Kam arsye të mëdha që nuk e përkrah aksionin në Veri si dhe masat e vendosura nga pala kosovare. Tash, as pagën nuk mund ta marr nga Serbia. Ç`të bëjmë ne, si do të jetojmë”, pyet ky serb, mjaft i shqetësuar.

Por ai pret zgjidhje nga të dyja palët. Në të kundërtën, sipas tij, si do të jetojnë në vendin e tyre. “Unë dua të jetoj këtu, por dua zgjidhje nga politikanët në Beograd dhe Prishtinë”, thotë Cvejiq. Ndërkohë që edhe këtu vërehet se janë pakësuar mallrat që mbajnë tiketa të Serbisë. Mirëpo, nuk brengosen edhe aq. Shitësi i një kioske në qendër të Graçanicës thotë se gjithnjë gjejnë rrugë alternative për të ardhur mallrat nga atje. “Hajt se nuk ka edhe aq shumë problem për këto. I gjejmë të gjitha. Ka raste kur këto mallra i kemi blerë nga shqiptarët”, thotë Nenad Arsenejeviq.

Pak më tej se Graçanica, në fshatin Badovc, jeta zhvillohet sikur mos të ndodhë asgjë. Në këtë fshat të përzier, serbët nuk duan të shprehen për ato çka kanë ndodhur javën e fundit. Neve na intereson një jetë më e mirë sesa kjo që kemi”, thotë një i ri serb, pa dashur që t’i publikohet emri. Ndërsa një tjetër ka dëshirë që të hapen vende të reja pune dhe të ketë një jetë normale. “Çka bëjnë politikanët, mua hiq s’më intereson. Ne jemi duke jetuar këtu të qetë dhe pa asnjë problem. Atje në Veri ka ekstremistë shumë”, thotë ky banor i Badovcit, i cili ka frikë ta bëjë publik emrin e tij.
Këta banorë që duken pak më të “butë” se ata në Graçanicë, ia qajnë hallin kryetarit të Komunës, Bojan Stojanoviq. Një grua në moshë i ankohet atij se nuk ka shtëpi, ndërsa një burrë i ankohet se kanë mungesë uji. Kryetari e dëgjon rrëfimin e secilit, e për ndonjërin vetëm i rrudh krahët duke ua bërë me dije se nuk ka çka t’u bëjë, ndërsa për ndonjë tjetër jep ndonjë përgjigje inkurajuese. Ai thotë se i kupton ata dhe do të mundohet të bëjë gjithçka është e mundur që jeta e tyre të ndryshojë. “Ne duhet të jetojmë këtu, ky është vendi ynë”, thotë Stojanoviq. pa dashur që të komentojë ngjarjet në Veri.

Si do që të jetë, shumica e serbëve në qendër të Kosovës heshtazi e kanë pranuar realitetin. Nëpër rrugë të Graçanicës qarkullojnë veturat me tabelat e reja të Kosovës, me ato KS, por edhe me të vjetrat, si PR e GL.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›