E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkim ndërkombëtar për vrasësin e tre pushuesve në Vlorë

Delin Hajdaraj, i dyshuar si ekzekutori i tre plazhistëve në vendin e quajtur “Kalaja” në Vlorë, është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Hetuesit dyshojnë se Hajdaraj mund të ketë kaluar në Greqi, ose ndodhet i strehuar në zonat e thella malore në jug të vendit. Për momentin ai nuk rezulton në faqen zyrtare të Interpolit, megjithatë policia shqiptare thotë se kjo pritet të bëhet brenda pak orëve, njofton TCH.

Ndaj 22-vjeçarit Hajdaraj rëndon akuza e vrasjes. Sipas Prokurorisë së Vlorës, është provuar se ai është autori i vrasjes me armë tip “Kallashnikov” të tre shtetasve në zonën e Ujit të Ftohtë. Të martën, Gjykata e Vlorës caktoi për të masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.

Po të martën, gjykata caktoi edhe masën e sigurisë arrest me burg për Leo Osmenin. 18-vjeçari Osmeni ka qenë nxitësi i sherrit në plazh.

Në dëshminë e tij para prokurorëve, Osmeni rrëfeu gjithë ngjarjen, që nga konfrontimi fizik me grupin e djemve fierakë e deri tek momenti i të shtënave me armë të Delin Hajdarajt. Ai tha se e kishte goditur me kaçavidë nërin prej djemve nga Fieri, pasi ia kishin ngacmuar të motrën, duke i kërkuar adresën e Facebookut.

Plumbat e qëlluar me breshëri nga arma e Hajdarajt kanë vrarë me rikoshet tre persona, Diana Ademin, Sokol Isufajn dhe Serdi Bajlozin. Më vonë u mësua se asnjëra prej viktimave nuk kishte pasur lidhje me ngjarjen dhe konfliktin mes Leo Osmenit dhe grupit të djemve nga Fieri./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›