E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkimet për kosovarët në Tisa, dorëzohet Hungaria

Pas dhjetë ditësh policia kosovare ka ndërprerë kërkimet e trupave të kosovarëve që dyshohen të jenë mbytur në lumin Tisa. Deri më tani, bilanci i kësaj tragjedie është tre të vdekur, tre të mbijetuar dhe 16 që konsiderohen të humbur.
Policia hungareze ka përfunduar të shtunën në mbrëmje kërkimet në bregun e lumit Tisa, në anën e tyre të kufirit, pa ndonjë rezultat të ri.
Dy trupa të pajetë femrash që janë gjendur në anën serbe të lumit dhe një trup mashkulli në anën hungareze, janë rezultatet e vetme të një kërkimi dhjetëditësh të kryer nga policitë e dy shteteve.

Ushtria, policia dhe zhytësit hungarezë, në 2 kilometra gjatësi sa ky lumë përshkon territorin e tyre, nuk ka mundur të gjejë asnjë shenjë se aty mund të ketë kufoma të tjera.

“Tani në lumë ndodhet vetëm policia kufitare, sepse mundësitë që të gjenden trupa të tjerë në anën tonë, pas gjithë këtyre kërkimeve, janë tepër të vogla, për të mos thënë se është e pamundur”, thotë Szabolcs Szenti, zëdhënës i Policisë së Hungarisë për Express.

Ndërkohë Policia e Serbisë po vazhdon kërkimet, në anën saj.
Në lidhje me të njëjtin rast, Policia e Serbisë, përveç të dhënave të ditëve të para, nuk jep asnjë informacion shtesë sa u përket rezultateve të kërkimeve në bregun e tyre të lumit, që kalon në territorin e tyre.

“Komisionet e përbashkëta të Policisë së Serbisë dhe Hungarisë kanë gjetur tre trupa të pajetë, një mashkull e dy femra”, thotë Suzana Vasiljevic, zyrtare për media në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

“Në anën tonë të kufirit ende vazhdojnë kërkimet. Por më shumë informacione duhet të dijë policia hungareze, pasi varka dyshohet se është përmbysur në anën e tyre të lumit”, thotë Vasiljevic për Express.
Ajo nuk pranon të japë as identitetin e viktimës së dytë të gjinisë femër, të gjetur nga zhytësit serbë para disa ditësh, me arsyetimin se asaj nuk i janë gjetur dokumentet.

Edhe në Kosovë puna vazhdon, por në kuadrin e hetimeve. Policia e Kosovës ka lëshuar flet-arreste për katër të dyshuar, ndërsa ka dërguar dy policë e një prokuror në Hungari.
Policia e Kosovës po vazhdon hetimet me intensitet të shtuar në lidhje me këtë tragjedi.

Së paku kështu thonë zyrtarët e saj, të cilët edhe pse nuk kanë arrestuar asnjë person deri më tani, thonë se kanë arritur të identifikojnë së paku katër të dyshuar që i përkasin rrjetit të trafikantëve me qenie njerëzore.

“Është bërë identifikimi i katër personave që dyshohen për trafikim me qenie njerëzore. Gjykata për ta tashmë ka lëshuar fletarrest”, thotë Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Duke mos dhënë identitetin e këtyre personave që janë shpallur në kërkim, zyrtari i policisë thotë se ata u takojnë katër rajone të ndryshme të vendit.

Gjatë ditës së diel ka pasur spekulime se policia e Hungarisë, e Serbisë dhe e Kosovës kanë arrestuar së paku 20 persona si trafikantë të dyshuar që kanë pasur të bëjnë me këtë rast.

Por policia hungareze përgënjeshtron informacionet e tilla duke thënë se ka pasur ndonjë keqkuptim, keqinterpretim apo gabim në informacionet e shpërndara.

“Jo, një informacion të tillë nuk mund ta konfirmoj. Ky duhet të jetë një gabim apo një keqkuptim. Ne nuk kemi arrestuar ende persona në lidhje me këtë çështje”, thotë Szabolcs Szenti, zëdhënës i Policisë së Hungarisë.

I pyetur nëse i mbijetuari i këtij rasti, Blerim Rama, ka mundësi të arrestohet apo akuzohet, ai përjashtoi mundësinë që i njëjti të ngarkohet me veprën penale të trafikimit ilegal.

“Ai ka kërkuar strehim në Hungari. Ky person mund të akuzohet për rrezikim të jetës së dy fëmijëve, ku si pasojë e këtij rreziku ka humbur jetën edhe gruaja e tij. Por, ai nuk do të akuzohet për trafikim”, shpjegoi toger Szenti për Express.

Ai thotë se hetimet në lidhje me këtë rast, megjithatë janë duke vazhduar në bashkëpunim edhe me Policinë e Serbisë dhe atë të Kosovës.

(d.b/Express/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›