E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia në lumin Tisa, ndërpriten kërkimet për gjetjen e të mbyturve

Ndërpriten kërkimet në anën hungareze të lumit Tisa, për gjetjen e viktimave të tjera të mundshme, apo për të mbijetuar nga tragjedia e ndodhur ditë më parë në këtë lumë, ku besohet se janë mbytur rreth 18 kosovarë. Lajmi për ndërprerjen e kërkimeve është dhënë nga një zëdhnës i policisë hungareze, Szabolks Szenti, i cili saktësoi se operacionet e kërkimit kanë përfunduar të shtunën. "Ne i kemi përfunduar kërkimet pasi i gjithë territori është kontrolluar disa herë dhe tani ka shumë më pak mundësi që të gjenden kufoma apo të mbijetuar në anën hungareze të lumit"- ka saktësuar zëdhenësi. Sipas tij, hetimet për këtë rast po vazhdojnë në anën serbe të lumit, por deri më tani nuk ka ende ndonjë të dyshuar. Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre në tragjedinë e lumit Tisa. "Me pikëllim të madh morëm lajmin për humbjen e jetës së të afërmve tuaj në tragjedinë që ndodhi në lumin Tisa. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta"- shkruan Thaçi në telegramin e ngushëllimit.
"Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit, në bashkëpunim me institucionet përkatëse ndërkombëtare janë thellësisht të angazhuara dhe do të marrin të gjitha masat e duhura që të gjenden shkaktarët e vërtetë të tragjedisë dhe ata të përgjigjen para drejtësisë", thuhet në telegramin e kryeministrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›