E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet çerekfinalja

Ndeshjet e kthimit të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve fillojnë të martën dhe rreziku i eliminimit do të sjellë beteja të forta në fushë. Arsenal, Porto, Fiorentina dhe Bayern do të kërkojnë kualifikimin për në çerekfinale të martën mbrëma. Avantazh të lehtë kanë Bayern Munich dhe Porto, mirëpo Fiorentina dhe Arsenal do të kërkojnë fitore (madje edhe minimale 1-0), që do t’u sigurojnë vazhdimin e garës pas humbjeve në takimet e para në udhëtim me rezultat identik 2-1.

Fiorentina do të kërkojë “drejtësi” pas humbjes në Munich, ku ishin ankuar për ndarjen e drejtësisë nga gjyqtari norvegjez Tomas Henning Ovrebo. Bayern shënoi golin e fitores në minutën e fundit të lojës së rregullt nëpërmjet sulmuesit Miroslav Klose, por xhirimet e përsëritura treguan se ai ka qenë disa metra në pozitë jashtë loje. Humbja e hidhur në Munich do t’i vërë zjarr përballjes në Artemio Franchi.

“Duhet të harrojmë atë që ndodhi në Munich dhe të përqendrohemi në takimin e ardhshëm, duke harruar vendimet e gjyqtarit”, tha kapiteni i Fiorentinës, Riccardo Montolivo. Mbrojtësi Alessandro Gamberini dhe mesfushori Alberto Santana mungojnë për shkak të lëndimeve, por Alberto Gilardino do të mundohet të përmirësojë kuotën e shënimeve në garat evropiane me përkrahje të yllit malazez, Stevan Jovetiv dhe peruanit Juan Vargas.

Gjiganti bavarez, katër herë fitues i Ligës së Kampionëve, është lider në Bundesligë, pavarësisht barazimit 1-1 në Koln të shtunën. Mbrojtësi Martin Demichelis është lënduar në detyra ndërkombëtare, ndërsa edhe mbrojtësi i ri Diego Contento ka lënduar gjurin kundër Kolnit. Mirëpo, dyshja e mesfushorëve Arien Robben dhe Franck Ribery janë të gatshëm për lojë. Mot i ftohtë është parashikuar për të martën mbrëma në Firence, por stadiumin Artemio Franchi do ta ngrohin 42.100 tifozët, 3000 prej të cilëve do të jenë të klubit mysafir.

Në ndeshjen tjetër, kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas do të mungojë kundër Portos për shkak të një lëndimi të gjurit që pësoi kundër Burnleyt të shtunën. Topxhinjtë duhet të kthejnë disavantazhin 2-1 nga ndeshja e parë. Megjithatë, Arsenal mbetet favorit për të kaluar në çerekfinale për shkak të rekordit të shkëlqyeshëm si vendës. “Edhe në mungesë të Fabregasit, ne kemi ekip të fortë dhe mundësi të mirë të kalojmë në çerekfinale”, tha menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger.

Faza eliminatore:

Fiorentina-Bayern M 20:45
Arsenal-Porto 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›