E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Greqisë, do lobojmë për tju liberalizuar vizat me BE

14/03/2010 Krisohoidhis takohet me Bashën. Drejtori i Policisë takim me homologun e tij grek

Greqia shpreh mbështetjen e plotë për heqjen sa më shpejt të regjimit të vizave me Bashkimin Europian për qytetarët shqiptarë. Këtë mbështetje e deklaroi dje Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë Mihalis Krisohoidhis, i cili u prit në një vizitë zyrtare nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Sipas Krisohoidhis shqipëria ka bërë hapa vendimtarë në procesin e plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave dhe që shumë shpejt Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së Bashkimit Europian do të marin një vendim pozitiv për këtë gjë. “Ne e mbështesim plotësisht kërkesën e Shqipërisë për heqjen e regjimit të vizave duke respektuar kushtet ligjore të BE përmes kontrolleve të rrepta në mënyrë që duke hapur kufijtë të kufizojmë veprimtarinë e të gjitha rrjeteve kriminale që përdorin këto pengesa për të shfrytëzuar njerëzit fatkeqë”,- u shpreh Ministri Krisohoidhis. Ndërkohë nga ana tjetër Lulzim Basha falënderoi homologun grek Krisohoidhis për mbështetjen që Greqia po jep për procesin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, e po ashtu për vendimet e ndërmarra nga qeveria greke për lehtësimin e lëvizjes së emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe për ligjin mbi dhënien e nështetësisë. Sipas Bashës ky proces garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve, respekton dinjitetin e qytetarëve tanë por edhe përmirëson ndjeshëm parametrat e lëvizjes së lirë duke reduktuar hapësirat për aktivitet kriminal ndërkufitar. Në takimin dypalësh, Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë Mihalis Krisohoidhis premtoi se do të lobojë edhe me homologët e tjerë të vendeve të BE për të marrë sa më shpejt vendimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Basha e informoi homologun e tij grek për arritjet e Shqipërisë në fushën e sigurisë së dokumentave, në fushën e sigurisë së kufijve dhe në luftën kundër kriminalitetit. Në vashdën e këtyre takimeve delegacioni grek zhvilloi edhe një takim me drejtorin Hysni Burgaj, i cili priti homologun e tij Eleftherios Ikonomou. Palët ranë dakort për thellimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe kryerjen e operacioneve të përbashkëta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›