E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Playboy”, kumbari i “Bodrum”-it

14/03/2010 Shfaqja

“Një grup aktorësh me ëndrra, ditën e shtunë, dt. 13 mars 2010, ora 21.00, kanë dëshirë që të jemi në sallën ‘Bodrum’ të teatrit të “Metropolit”, për të parë shfaqjen e veprës time “Playboy i trojeve tona””.

Me sa duket shpirtin e tyre të trazuar e ka provokuar Xhojsi, i cili paska thënë se: “Shekspiri që ka vdekur 293 vjet më parë se unë, më ngjan mua. Uroj të jemi bashkë!”

Ky është provokimi nga parajsa që autori John Millington Synge, nën idenë e regjisorit Kiço Londo do t’i ofrohet sonte publikut të kryeqytetit për t’i çuar drejt një teatri alternativ. Kjo është ftesa që regjisori dhe aktorët kanë menduar t’ua përcjellin publikut. Ndoshta kjo është sfida e radhës e teatrit të “Metropolit”, krijuar vetëm dy vjet më parë, duke i shtuar jetës kulturore të kryeqytetit një hapësirë të re. Ky teatër gjatë kësaj periudhe i është përmbajtur qëllimit të tij: si një “far në anë të detit” ku ka drejtuar dhe tërhequr drejt vetes krijues, regjisorë, aktorë të rinj, duke iu dhënë mundësinë të shprehin ndjesitë, aftësitë dhe dashurinë e tyre për teatrin.

Për publikun e kryeqytetit salla “Bodrum” do të përurohet me komedinë “Playboy i trojeve tona”, i J. M. Synge, një pjesë me tre akte që zhvillohet në një fshat të vogël të Irlandës rreth viteve 1900. “Playboy i trojeve tona” është një komedi me elemente satirike dhe tragjike. Synge do që audienca të qeshë me karakteret e tij, por gjithashtu do që audienca të verë re anën njerëzore të këtyre personazheve, gabimet dhe defektet e tyre. Njerëzit që frekuentojnë tavernën e fshatit Flaherty kanë ngecur në një cep të Irlandës. Me përjashtim të Christy Mahon-Lulzim Zeqja, ata nuk bëjnë asgjë për të ndryshuar këtë gjë. Edhe Pegeen Flaherty-Marsela Lena, një femër e re dhe tërheqëse, e cila është plot fuqi shpirtërore e bën atë të distancohet nga jeta e errët rurale në fshatin Mayo.

Regjisori dhe aktorët vërejnë, se për herë të parë në skenën e teatrit shqiptar do të luhet teatri i komunikimit të gjallë, duke krijuar një formë të re të interpretimit skenik. Aktorët Lulzim Zeqja, Florian Agalliu, Xhejni Fama, Marsela Lena, Besmir Bitraku, Redian Mullaj,Sesilia Plasari, Alban Musta, Ina Gjonçi, Adriana Tolka, Aida Bajraktari do të mbajnë peshën e këtij interpretimi dhe do të përballen me sfidën e një teksti të vështirë, shkruar nga Synge, një mjeshtër i shkrimit të dialogëve të gjallë, të mbushur me ekzaltime dhe imagjinatë shumëngjyrëshe. Konceptuar si një shfaqje alternative kjo vënie skenike largon shfaqjet teatrore të “Metropolit” nga teatri si paraqitje, duke krijuar një komunikim të gjallë në kohë reale.

“Me këtë sallë të re teatrore ky teatër, e çon në dy numrin e sallave, duke i shtuar hapësirës teatrore të kryeqytetit më shumë ambiente për të sjellë vepra skenike, më shumë hapësirë dhe shpresë për aktorët dhe regjisorët e rinj, të cilët përballen me vështirësitë dhe pamundësitë e shfaqjes së energjive të tyre krijuese” .

Komedia do të ketë një premierë zyrtare sonte, më datën 13 mars, ku pritet hapja e sallës së re “Bodrum”, ndërsa është menduar një shfaqje për median, personalitete të artit dhe kulturës më datat 11 dhe 12 mars 2010. Nderi i gongut të parë të fillimit të shfaqjes do t’i takojë një artisti me emër, por që burime të brendshme brenda institucionit tregojnë se për momentin do të mbetet një surprizë për mediat dhe publikun. Salla “Bodrum” ka 80 vende dhe është realisht një sallë “black box”, e ndërtuar me fonde të Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë, salla “Çehov”, e krijuar vetëm dhjetë muaj më parë i ofrohet publikut me 120 vende. Në maj pritet të përfundojnë ndërtimet në sallën “Globus”, e cila mendohet të jetë rreth 300 vende.

Komedia, që do të përurojë sallën “Bodrum”, Playboy i trojeve tona” pati debutimin e parë më 26 janar 1907 në teatrin “Abbey” në Dublin. Shoqëria Ndërkombëtare e Teatrit ishte producente e dramës dhe W.G. Fay ishte regjisori që interpretoi rolin e Christy Mahon. Rebelime dhe protesta shoqëruan hapjen e performancës, pasi shumë kritikë të teatrit ishin shprehur se pjesa bazohej në stereotipin e irlandezëve duke i treguar ata si pijanecë, mburravecë e llafazanë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›