E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet heqja e referencës 1244 për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga është takuar të enjten me delegacionin e Parlamentit Evropian, të kryesuar nga kryetari Eduard Kukan. Anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian citohen të kenë thënë se i kanë shtuar përpjekjet e tyre për të përshpejtuar procesin e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.
 

Në njoftimin për shtyp, bëhet e ditur se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se është e nevojshme që të konsolidohet prania e BE-së në Kosovë dhe kërkoi heqjen e referencës 1244 për Kosovën, të cilën e ka vënë në përdorim BE-ja, me qëllim të formalizimit të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
 

Presidentja po ashtu vlerësoi se është me rëndësi që deri në fund të vitit, Kosova të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, pasi kjo do të ndihmonte në reformat e brendshme.
 

Ajo tha se partneriteti Kosovë-BE nënkupton se të dyja palët duhet t`u përmbahen përkushtimeve të tyre, ndërkaq shtoi se dialogu me Serbinë, duhet t`u shërbejë të dyja palëve që të ecin përpara dhe të vendosin marrëdhënie të mira fqinjësore.
Ndërkaq, eurodeputeti Kukan tha se PE përkrahë procesin e zgjerimit të BE-së dhe perspektivën evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit dhe i jep mbështetje Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së.
 

Më tej ai pohoi se Kosova duhet të thellojë procesin e reformave dhe posaçërisht të punojë në ndryshimin e ligjit për zgjedhjet. Ai tha se BE-ja i kushton një rëndësi të veçantë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian theksuan se i kanë shtuar përpjekjet e tyre për të përshpejtuar procesin e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe vlerësuan se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në përmbushjen e obligimeve për fillimin e dialogut për vizat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›