E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet heqja nga tregu e 3.4 milion makinave japoneze

Katër kompani kryesore japoneze kanë kërkuar tërheqjen e rreth 3,4 milionë makinave në mbarë botën, për shkak të problemeve me qeset e ajrit.

Firmat ‘Toyota’, ‘Nissan’, ‘Honda’ dhe ‘Mazda’ thanë se arsyeja për tërheqjen nga tregu të makinave ishte se qeset difektoze të ajrit, prodhim i kompanisë Takata të pjesëve të këmbimit për makina, mund të shpërthenin, ose të merrnin flakë. Nuk ka pasur njoftime për plagosje, apo vdekje për shkak të këtyre defekteve.

Kompania ‘Toyota’ ka kërkuar tërheqjen e 1,7 milionë automjeteve, përfshirë modelet ‘Tundra’ dhe ‘Corolla’. ‘Honda’ ka kërkuar tërheqjen e 1,1 milionë makinave, përfshirë modelet ‘Civic’ dhe ‘Odyssey’. Kompania ‘Nissan’ thotë se qeset difektoze të ajrit u gjetën tek 480 mijë makina të prodhuara në Japoni mes viteve 2 mijë dhe 2004. ‘Mazda’ ka kërkuar tërheqjen e 45 mijë makinave të kompanisë.
(a.k/Voa/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›