E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet largimi i Capellos

Komentatorët britanikë kanë hedhur kritika të ashpra të hënën ndaj ekipit kombëtar, pas paraqitjes zhgënjyese kundër Gjermanisë që përfundoi shpresat e tyre në Kampionatin botëror, dhe kanë bërë thirrje për largimin e selektorit Fabio Capello.

Gazetat rezervuan kritika edhe për gjyqtarin e ndeshjes, i cili anuloi një gol të Anglisë kur topi kishte kaluar dukshëm vijën e portës në takimin që përfundoi me humbjen më të thellë të tyre në një Kampionat botëror.

Por, kjo nuk ishte asgjë për dallim nga zemërimi ndaj ekipit për lojën e dobët të tyre në Bloemfontein, ku u mposhtën 4-1 nga rivali i tyre i përhershëm. Tabloidi The Sun – që është gazeta më e shitur në Britani – në ballinën e tij shkroi titullin:

“E keni zhgënjyer shtetin tuaj”. “Ne i dhamë botës futbollin. Por, nga viti 1966 bota me këmbëngulësi është duke refuzuar të na kthejë”, shtoi gazeta, duke iu referuar titullit të vetëm të Anglisë të fituar në Botëror. “Dhe në paraqitjen e djeshme dështuam të mposhtim rivalin e vjetër, Gjermaninë”.

Ndërsa Daily Mail shtoi: “Selektori Fabio Capello dhe ekipi i tij i dështakëve kanë ngjallur turpërim kombëtar, njëra prej humbjeve më të thella në historinë sportive”. Përveç futbollistëve, në qendër të kritikave është vënë edhe Capello.

“Anglia dështoi të shënojë gola dhe u mbrojt si budallenj, kjo është përgjegjësi e Capellos”, shkroi The Times. Capello ka bërë të ditur se nuk planifikon të ofrojë dorëheqje, ndërsa do të takohet me zyrtarët e Federatës së Futbollit të Anglisë për të diskutuar rreth të ardhmes së tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›